Riatdhesimi i azilkërkuesve në Kosovë, Hyseni premton angazhim për riintegrimin

14/01/2016 00:00

Kosova riatdheson 17 mijë azilkërkues nga vendet e Bashkimit Europian. Shifra u bë e ditur nga ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni. Ai u zotua se ekzekutivi do të vazhdojë të punojë për riintegrimin e të gjithë atyre, që u refuzohet kërkesa për azil.

Këto komente, ministri i Brendshëm kosovar i bëri në takimin për përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave, në praninë e kryeministrit Mustafa, përfaqësuesve ndërkombëtarë dhe drejtuesve të pushtetit lokal.

“Pavarësisht nga statistikat buxhetore, që mund të evidentohen pas analizave që kemi bërë, dihet që numri i përfituesve nga Fondi për Riatdhesim është konsiderueshëm më i lartë se në vitin paraprak. Kjo shifër na ofron një garanci, që edhe më tej do ta menaxhojmë mirë këtë proces. Janë kthyer deri më tani rreth 17 mijë, ose janë riatdhesuar. Ne zotohemi, zoti Zhbogar, që do t’i qëndrojmë besnik gatishmërisë dhe procesit të riatdhesimit efikas e efektiv për riintegrimin e të gjithë atyre që u refuzohet kërkesa për azil. Pra, sa i përket shpenzimit të fondit për riintegrim, ne, edhe me raportin që kemi dorëzuar dje te Ministria e Integrimit Europian, kemi dëshmuar se ka rritje të shfrytëzimit të këtij fondi. Rritje në përqindje, më shumë për shkak të kostos shumë më të lirë buxhetore të shërbimeve që janë ofruar”, tha Skënder Hyseni, ministër i Punëve të Brendshme.

Hyseni ftoi kryetarët e komunave, që të vazhdojnë fushatën për sensibilizimin dhe informimin e personave të riatdhesuar, për mundësinë e përfitimit nga Fondi për Riintegrim. Ai shtoi se, në procesin e riintegrimit të azilkërkuesve, rol të rëndësishëm dhe të pazëvendësueshëm kanë edhe komunat.

Top Channel