E ardhmja e “Trepçës”, takim konsultativ me pjesëmarrjen e Veselit e Mustafës

14/01/2016 00:00

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, dhe kryeministri Isa Mustafa kanë marrë pjesë në takimin konsultativ për të ardhmen e kombinatit “Trepça”, teksa paraqitën zotimet për të ardhmen e ndërmarrjes përpara deputetëve dhe përfaqësuesve shqiptarë e serbë të saj.

Kryeparlamentari Veseli tha se, ajo që po e mban peng përkushtimin për zhvillimin ekonomik të vendit dhe “Trepçën” është kriza e vazhdueshme politike, e cila po ua merr energjinë dhe nuk po u lë kohë të mjaftueshme institucioneve për përkushtim në ekonomi.

“Trepça ka rëndësi të jashtëzakonshme në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Përkatësisht rivitalizimi i saj dhe zgjerimi i kapaciteteve në të, si dhe investimet e tjera, të cilat janë jo vetëm për Trepçën, por edhe në zhvillimin e burimeve të tjera minerale, me të cilat Republika e Kosovës është mjaft e pasur. Ne besojmë shumë se, me një gjenerim të tillë do të kemi edhe rritje ekonomike, por në të njëjtën kohë do të kemi edhe përmirësim të mirëqenies së qytetarëve”, tha Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Kosovës.

“Ne kemi bërë disa prej reformave thelbësore vitin që lamë pas. Por, mendoj se pjesë e atyre reformave, tashmë duhet të jetë edhe zgjidhja e çështjes së Trepçës. Ky takim ka për qëllim t’iu informojë lidhur me aktivitetet e deritanishme dhe me bashkërenditjen e politikave qeveritare me të gjithë aktorët përkatës, për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare asetit tonë më të rëndësishëm strategjik, Trepçës. Jam i bindur se, zgjidhja e këtij problem do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen ekonomike të Kosovës, përmes rritjes së eksporteve, përmes krijimit të një potenciali të zinxhirit prodhues, në vlerë të shtuar të rritjes së punësimit dhe të rigjallërimit ekonomik të vendit”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

Kryeministri Mustafa deklaroi gjithashtu se, brenda këtij viti, institucionet duhet të përfundojnë strategjinë dhe të nxjerrin ligjin për “Trepçën”, përmes të cilit – sipas tij, – duhet të sqarohet rruga më e mirë që do të ndjekë Kosova, për zhvillimin e kombinatit metalurgjik.

Në këtë takim konsultativ, Mustafa i ftoi të gjithë zyrtarët e sektorëve ekonomikë, që të japin komentet dhe idetë e tyre, për të marrë në fund edhe përgjegjësitë që u takojnë të gjithëve, për të përmbyllur detyrimet për rimëkëmbjen e Trepçës.

Në këtë takim konsultativ ishin të ftuar edhe deputetë të opozitës, që janë pjesë e komisioneve parlamentare për Zhvillimin Ekonomik, por ata e kanë bojkotuar takimin.

Top Channel