Lëvizjet e fundit për reformën, Meta mbledh juristët, Basha ekspertët

14/01/2016 18:10

Klasa politike po shfrytëzon orët e fundit për të vendosur mbi qëndrimet që do të mbajnë në Komisionin e Posaçem për draftin e propozuar nga ekspertët e maxhorancës për reformën në drejtësi.

Ilir Meta ka thërritur në takim në Kryesinë e Kuvendit ministrin e Drejtësisë, Ylli Manjani, paraardhësin e tij në këtë post, Nasip Naço, kreun e Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho si dhe Petrit Vasilin.

Ndërkohë, pa metra më tutje, në selinë e Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka nisur takimin me ekspertët e opozitës për reformën në drejtësi. I pranishëm në këtë takim është edhe kreu i republikanëve, Fatmir Mediu.

Këto zhvillime mbërrijnë pak orë nga mbledhja e parë e Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi për këtë vit. Mbledhja e tij është thërritur për paraditen e së premtes.

Komisioni i Posaçëm i Reformës në Drejtësi do të ketë në fokus kërkesën e grupit të ekspertëve të nivelit të lartë që drafti i hartuar prej tyre për ndryshimet kushtetuese të çohet për ekspertizë në Komisionin e Venecias.

Drafti i eksperteve të nivelit të lartë është i vetmi dokument që do jetë në tryezën e anëtarëve të komisionit, pavarësisht se mediatikisht u bë publik edhe drafti i ministrisë së Drejtësisë, që ekspertët e nivelit të lartë thanë se kanë përfshirë në variantin final edhe disa prej propozimeve të këtij dikasteri.

Megjithatë, kjo nuk mbyll diskutimin politik, edhe brenda dy partive të koalicionit PS dhe LSI. Partia Socialiste konfirmohet se do të kërkojë që drafti të çohet në Venecia dhe vetëm pas përgjigjes nga ky organizëm të nisë diskutimi politik.

Ndërsa LSI ia ka lënë takimit të nesërm, vendimin për pozicionimin ndaj draftit final të ekspertëve. Ende nuk ka konfirmim zyrtar se cila do të jetë vota e saj për draftin final në Venecia, votë që është edhe vendimtare për të bërë shumicën në Komisionin e Posaçëm për shkak të përbërjes së barabartë.

Mesa duket kjo ka qënë edhe çështja që është diskutuar në takimet e gjata mes kryeministrin Rama dhe kryeparlamentarit Meta edhe gjatë paradites se kësaj të enjte. Pas këtyre takimeve pyetjes së Top Channel nëse anon nga Pro-ja vota e LSI-së, burimet iu përgjigjen me “besoj se PO”.

Shkaku i votës vendimtare  të LSI-së, mesa duket ka qënë edhe qëllimi i takimit të ambasadores së BE-së Romana Vlahutin në zyrën e Ilir Metës, pas takimit të tij me Ramën. Po ashtu mësohet edhe për një telefonatë të ambasadorit amerikan Donald Lu me kreun e LSI-së. Pritshmëria e Partisë Socialiste është që drafti të marrë Ok-jin e Komisionit të premten dhe përballja e qëndrimeve të bëhet pasi dy ekspertët e Venecias të kenë mbërritur në Tiranë më 21 dhe 22 janar.

Pavarësisht se cili do të jenë qëndrimet brenda mazhorancës, opozita e ka marrë vendimin e saj. Lulzim Basha i ka qëndruar deklaratës se Partia Demokratike nuk do të çojë asnjë draft të ri në Venecia, sepse siç tha, refuzonte të merrte pjesë në ballon me maska të Edi Ramës, kur detyra e tyre ishte të dërgonin atje një draft konsensual.

Ajo çfarë do të bëjë Partia Demokratike është informimi i komisionit të Venecias nëpërmjet një letre, ku do të sqarojnë me detaje pozicionin e opozitës se përse drafti që do të shkojë në Venecia nuk ka konsensusin e Partisë Demokratike dhe sesi qeveria po përpiqet të kapë politikisht sistemin e drejtësisë.

Këto qëndrime gjithashtu pritet të bëhen publike gjatë mbledhjes së komisionit të posaçëm parlamentar për reformën në drejtësi.

Top Channel