Kosovë, urimet e para për nominimin e filmit “Shok” për “Oscar”

14/01/2016 00:00

Menjëherë pas mësimit të lajmit se filmi “Shok” është nominuar për çmimin prestigjioz “Oscar”, kanë reaguar kryeministri dhe zëvendëskryeministri i Kosovës, respektivisht Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi.

Kryeministri i Republikës së Kosovës përshëndet nominimin e këtij filmi dhe e konsideron si një lajm shumë të mirë për artin dhe kulturën në Kosovë, duke përgëzuar të gjithë profesionistët e filmit, që kanë kontribuuar për realizimin me sukses të tij, një film tashmë historik për kinematografinë kosovare.

“Nominimi i filmit ‘Shok’ për ‘Oscar’ është një lajm shumë i rëndësishëm për kulturën tonë në përgjithësi. Republika e Kosovës, falë punës, kreativitetit dhe përkushtimit të njerëzve të saj, dhe në bashkëpunim me profesionistë të vendeve të tjera mike, po ecën e sigurtë drejt sukseseve kulmore në të gjitha fushat e jetës”, tha kryeministri Mustafa.

Zyra e kryeministrit të Kosovës, bashkë me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të mbështesë aktivitetet që lidhen me promovimin dhe përkrahjen e filmit “Shok”, i cili është mbështetur edhe nga Qendra Kinematografike e Kosovës.

Ndërkohë, përmes rrjetit social Facebook ka uruar edhe Hashim Thaçi, zv.kryeministër dhe ministër i Jashtëm i Kosovës.

“Urime, urime, urime! Filmi kosovar ?’Shok’? nominohet zyrtarisht për çmimin ‘Oscar’. Ekipit i dëshiroj sukses. Do ta keni përkrahjen e shtetit, komunitetit artistik dhe mbarë Kosovës”, shkruan Thaçi.

Të gëzuar tej mase janë shfaqur edhe kasta e aktorëve dhe producentëve të filmit, gjë që është vërejtur përmes një videoje të publikuar dhe shpërndarë nëpër rrjetet sociale dhe mediat kosovare.

Top Channel