Mbërrin i ftohti arktik me temperatura të ulëta. Rrezik për bllokimin e rrugëve

14/01/2016 20:10

Sipas Institutit të Gjeoshkencës, dita e premte e në vazhdim do të sjellë përkeqësim të motit me ulje temperature dhe reshje intensive shiu e bore.

Kjo do të bëjë që të gjitha akset rrugore kombëtare dhe rurale, në lartësinë mbi 200 m mbi nivelin e detit, të preken nga bora dhe ngricat. Disa nga akset më problematike mund të jenë ato të Shkodër-Lezhë-Milot; Rruga e Kombit; Pogradec-Korçë-Kapshticë; Vlorë-Llogara-Himarë etj.

Rrethet që pritet të preken nga bora deri në fund të ditës së shtunë janë kryesisht në rajonet lindore të vendit, nga veriu në jug. Ndërsa reshjet e shiut pritet të jenë në sasinë më të lartë në Qarkun e Shkodrës, ku mund të shkojnë deri në 90 mm.

Ministria e Brendshme, për t’i paraprirë situatave problematike ka udhëzuar pushtetin lokal të marrë masa, sidomos sa i përket mirëmbajtjes së rrugëve. Po kështu janë porositur autoritetet vendore të mbikëqyrin punën e subjekteve të kontraktuara për mirëmbajtjen e rrugëve.

Top Channel