“Fiks Fare”: Gjykata Administrative shpërfill vendimin e Gjykatës së Lartë

14/01/2016 00:00

“Fiks Fare” vazhdoi edhe mbrëmjen e së enjtes me denoncimet e parregullsive dhe korrupsionit në sistemin gjyqësor, me një rast konkret në Sarandë.

Çështja në fjalë ka të bëjë me rastin kur Gjykata Administrative e Shkallës së parë nuk merr parasysh një vendim të Gjykatës së Lartë dhënë që në vitin 2010, në lidhje me lejen e ndërtimit të një godine banimi 10-katëshe në Sarandë.

Në vitin 2010 Bashkia e Sarandës ka dhënë një leje për ndërtimin e një godine banime 10-katëshe në lagjen Nr.4. Menjëherë pas fillimit të punimeve, pas shpërthimeve për hapjen e gropës, fqinji filloi ankesat pranë bashkisë për mosrespektim të largësisë nga banesa e tij. Më pas, ai i është drejtuar gjykatës së shkallës së parë të Sarandës. Kur objekti ishte duke përfunduar, një vit e gjysmë pas fillimit të gjyqit, gjykata vendos pranimin e pjesshëm të padisë, si dhe nxjerr të pavlefshëm vendimin për leje ndërtimi. Të dyja palët e apelojnë këtë vendim.

Gjykata e Apelit të Gjirokastrës ja kalon për shqyrtim Gjykatës Administrative të Apelit. Kjo gjykatë i ka dhënë të drejtë palës së dëmtuar, pra qytetarit që ankohej. Pasi vendimi mori formë të prerë, Zyra Përmbarimore Sarandë filloi ekzekutimin e tij.

“Shkuam në objektin e ekzekutimit që ndodhej në lagjen Nr. 4. Zyra e Përmbarimit Sarandë nuk ka mjete në dispozicion për prishjen e pjesës që ka shkelur ligjin dhe cenon palën tjetër. Ne i jemi drejtuar INUK Sarandë, duke i kërkuar mbështetje për mjetet e ekzekutimit të vendimit gjyqësor. INUK Sarandë ka dërguar një kërkesë për ekzekutim nga Zyra e Përmbarimit Sarandë drejtuar drejtorisë së Ekzekutimit INUK-ut Tiranë”, thotë Asuf Struka nga Zyra Përmbarimore e Sarandës.

Ndërkohë që Përmbarimi filloi ekzekutimin e vendimit të Gjykatës, firma e ndërtimit kërkon pranë Gjykatës së Lartë pezullimin e këtyre veprimeve. Gjykata e Lartë më 9 korrik 2015 vendosi të mos e pranojë kërkesën e pezullimit të ekzekutimit të vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit. Në këto kushte, firma e ndërtimit i drejtohet njëkohësisht dy gjykatave, Gjykatës së Shkallës së Parë të Sarandës dhe Gjykatës Administrative të Gjirokastrës, lejimin e marrjes së masës së sigurimit dhe pezullimit të veprimeve Përmbarimore.

Gjykata e Shkallës së Parë Sarandë më 3 gusht 2015, ditë e hënë, e pushon çështjen, ndërsa Gjykata e Shkallës së Parë Administrative e Gjirokastrës më 1 gusht 2015, ditë e shtunë, e merr në shqyrtim dhe gjykatësi vendos masën e sigurisë dhe pezullimin e veprimeve Përmbarimore.

Ky vendim jo vetëm nuk mori parasysh vendimin e Gjykatës së Lartë, e cila kishte pranuar pezullimin e ekzekutimit të vendimit, por paralizoi edhe ndërhyrjen e institucioneve. 

Top Channel