SHBA, shefi i Mbrojtjes Carter: Një gabim në lundrim i çoi marinsat në ujërat iraniane

14/01/2016 00:00

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ashton Carter deklaroi këtë të enjte se, me të gjitha gjasat ishte një “gabim në lundrim” shkaku i depërtimit të dy mjeteve lundruese amerikane në ujërat territorialë të Iranit, në zonën e Gjirit Persik, aty ku ekuipazhet u kapën përgjatë natës mes të martës dhe të mërkurës dhe më pas u liruan paraditen e djeshme nga Irani.

“Sipas informacionit që marinsat na dhanë edhe përmes komandantëve të tyre, duket se ishte thjesht një gabim aksidental që i bëri ata të futeshin në ujërat e Iranit dhe kjo erdhi si pasojë e një gabimi në lundrim”, deklaroi Carter përmes një interviste të dhënë nga Miami.

Pas kësaj deklarate, Sekretari i Mbrojtjes udhëtoi drejt Tampas për t’u takuar me udhëheqësit e Komandës Qendrore amerikane, e cila mbikëqyr veprimet e ushtrisë amerikane në Lindjen e Mesme.

“Ata me siguri kanë bërë një gabim në orientim gjatë lundrimit dhe për këtë arsye besohet të kenë përfunduar në të atilla rrethana”, shtoi Ash Carter. “Për më tepër, ata nuk e raportuan gabimin, pasi po përpiqeshin ta zgjidhnin vet situatën, pavarësisht se u përballën me Rojet Bregdetare iraniane. E megjithatë, ende nuk e dimë saktësisht se çfarë ndodhi”.

Më pak se një ditë pas arrestimit të tyre, 10 marinsat amerikanë u liruan dhe u kthyen mbrapsht në flotën amerikane të vendosur në Bahrein. Zyrtarë të Marinës thanë se 10 ushtarakët iu nënshtruan asaj që ushtria amerikane e quan “riintegrim”: një seri intervistash dhe ekzaminime fizike dhe mendore, në mënyrë që t’u lehtësohet rikthimi në detyrë.

Carter deklaroi gjithashtu se marinsat nuk ishin në një mision të fshehtë, pasi thjesht sa ishin duke u kthyer nga Kuvajti në Bahrein, të dyja këto vende në brigjet perëndimore të Gjirit Persik. Ata përfunduan në ujërat territoriale iraniane, thuajse 50 milje nga bregu i detit, ndaj dhe u arrestuan nga ushtria iraniane në ishullin Farsi, aty ku ndodhet edhe një nga bazat detare të Iranit.

Top Channel