Maqedoni, VMRO-DPMNE propozon sekretarin Emill Dimitrev për kryeministër

15/01/2016 00:00

Sekretari i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së, Emill Dimitriev, është kandidati i kësaj partie për kryeministër në qeverinë kalimtare e cila duhet t’i organizojë zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni.

Kështu ka vendosur partia më e madhe maqedonase e cila sipas marrëveshjes së 2 qershorit, duhet të propozojë kryeministrin e qeverisë së re. Dimitriev pritet ta merr postin e kryeministrit pasi të votohet nga Parlamenti.

“Kandidat për të drejtuar qeverinë e cila ka për detyrë të organizojë zgjedhjet e parakohshme është sekretari gjeneral i partisë, Emill Dimitriev. Bëhet fjalë për një njeri të përgjegjshëm dhe serioz i cili angazhimin e tij profesional e ka dëshmuar në shumë pozicione dhe vlerësojmë se me përgjegjësi do ta kryej edhe detyrën e kryeministrit në qeverinë e re”, deklaroi  shefi i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski.

Vendimin për të kandiduar sekretarin e përgjithshëm të partisë për kryeministër në qeverisë kalimtare, komiteti qendror i VMRO-DPMNE-së e ka sjellë menjëherë pas njoftimit të Nikolla Gruevskit, se të premten do të paraqesë në Kuvend, dorëheqjen nga posti aktual.

Gruevski sqaroi se dorëheqja e tij do të aktivizohet 100 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve, ashtu siç parashikohet me marrëveshjen e 2 qershorit. Gjatë fjalës së mbajtur në selinë e qeverisë, kryeministri në largim, akuzoi partinë opozitare LSDM se pengon zbatimin e marrëveshjes politike për të shtyrë zgjedhjet e 24 prillit.

“Zgjedhjet duhet të mbahen më 24 prill. Tani është koha që të përmbushet ky obligim. Për fat të keq deklaratat e fundit nga ana e LSDM-së pengojnë këtë pjesë të marrëveshjes. Ky është një kurth i qartë për të mbajtur vendin në krizë dhe për të penguar të drejtën e qytetarëve për të zgjedhur njerëzit për të cilët mendon se duhet të drejtojnë shtetin Unë jam kundër këtyre pengesave që e mbajnë vendin peng”, tha Gruevski.
 
Dorëheqja e Gruevskit vjen si pasojë e skandalit të përgjimeve që opozita maqedonase i publikoi në fillim të vitit të kaluar.

Top Channel