Guatemalë, betohet presidenti i ri: ish-komediani Jimmy Morales

15/01/2016 00:00

Në vitin 2014, një studim i Bankës Botërore tregoi se Guatemala ishte i vetmi vend i Amerikës Latine, ku të varfërit po varfëroheshin edhe më shumë.

Shpenzimet e ulëta qeveritare u fajësuan për ngadalësimin e rritjes ekonomike dhe problemet e mëdha të infrastrukturës. Por ky vend, ku më shumë se gjysma e popullatës jeton nën kufirin e varfërisë, arriti përmes një vale gjigante protestash të çojë në burg për korrupsion, ish-kreun e shtetit, Otto Perez Molina, dhe ish-zëvendëspresidenten Roxana Baldetti.

Prokurorët këmbëngulin se, që të dy kanë marrë 50% të ryshfeteve të paguara nga bizneset për shmangien e detyrimeve doganore. Operacioni i mashtrimeve në dogana, i njohur si “La Linea”, zhvillohej gati hapur, në dritën e diellit, e drejtohej nga zyrtarë të qeverisë.

Tani, në Guatemalë bëri betimin si President i ri i vendit një ish-komedian, Jimmy Morales. Morales, i zgjedhur në muajin tetor, nuk ka asnjë eksperiencë të mëparshme në drejtimin e vendit, por fjalimin e tij përurues e përqëndroi te një zotim themelor: lufta pa kompromis ndaj korrupsionit.

Në ceremoni merrte pjesë dhe numri dy i administratës amerikane, Joe Biden, duke e bërë këtë të parën herë në 30 vite, që një zyrtar kaq i lartë amerikan është i pranishëm në një event të këtij lloji në Guatemalë.

Kritikët thonë se aktori komik nuk ofroi ndonjë të dhënë sesi ka ndërmend ta luftojë korrupsionin galopant dhe sesi mendon të menaxhojë nivelet e larta të dhunës në vend, skamjen dhe pabarazinë sociale. Por, “ndryshimi mbase mund të vijë me një buzëqeshje”, thotë “The Economist”.

Dhe për këtë, Moralesi duket të jetë njeriu i duhur: është jashtë sistemit dhe i pandotur nga politika. Sesa i papërlyer do të qëndrojë edhe përgjatë Presidencës, kjo mbetet për t’u parë, por për momentin, shtetasit e Guatemalës duket se e besojnë sloganin e tij: “as i korruptuar e as hajdut”.

Top Channel