Debat i ashpër mes republikanëve, udhëheqin Trump e Cruz

15/01/2016 00:00

Debatet televizive mes demokratëve në Shtetet e Bashkuara kanë momentet e tyre të përflakjes, por spektaklin e vërtetë e ofrojnë përplasjet e republikanëve përpara kamerave.

Vrazhdësia dhe goditjet nën rrip u panë qartë në përballjen e 6 të këtij lloji, te sulmet e përqëndruara mbi Ted Cruzin: armëpushimi i tij me Donald Trumpin tashmë ka marrë fund, megjithatë këtë radhë, në fshikullimin e senatorit nga Teksasi u përfshi edhe Marco Rubio.

“E vërteta, i dashur Ted, është se ti ke ndryshuar pozicion e ke përmbysur votën tënde për emigracionin, subvencionet e prodhimit të etanolit, mbi tregtinë e lirë me vendet aziatike. Tani po ndryshon kurs edhe mbi garantimin e prodhimeve bujqësore, sepse të kanë thënë që të bën punë me elektoratin në Iowa. Bën çdo gjë me llogari politike. Ky nuk është konservatorizëm, ky është oportunizëm”, tha Rubio.

I pakursyer në shuplaka ishte dhe kryesuesi i garës për nominim në kampin republikan, Donald Trump. Manjati i pasurive të paluajtshme e sulmoi rivalin, për faktin që ka lindur në Kanada, çfarë – sipas Trumpit, – hedh dyshime mbi të drejtën e tij për t’u zgjedhur President.

“Ka një pikëpyetje të madhe mbi kokën tënde”, tha Donald Trump.

Kushtetuta amerikane e dikton, që Presidenti të jetë qytetar i lindur në Shtetet e Bashkuara. Një pjesë e mirë e debatit u fokusua edhe te çështjet e sigurisë kombëtare, ekonomia e politika e jashtme.

Anketimet deri tani tregojnë se, dyshja Trump-Cruz është e shkëputur nga 5 kandidatët e tjerë, duke u shfaqur qartazi si më të preferuarit nga elektorati republikan. Përballja televizive në North Charleston të Karolinës së Jugut vjen vetëm 18 ditë përpara sprovës së vërtetë të fushatës, votimit të Iowas, që çel zyrtarisht sezonin e zgjedhjeve paraprake në vend.

Top Channel