Ekspertët prezantojnë draftin në Komision, PD: Ka ende kohë për konsensus

15/01/2016 11:40

Mbledhja e parë e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi nisi me ekspertët që prezantuan shkurtimisht atë që kanë hedhur në draftin për ndryshimet kushtetuese.

Ai që paraqiti shkurtimisht këtë pasqyrim ishte eksperti Sokol Sadushi. Ai tha se në zbatim të udhëzimeve të Komisionit të Venecias, është synuar një thjeshtim në mënyrën e bashkëpunimit institucional, thjeshtim në përbërje dhe në kompetenca.

“Kjo është ajo që propozojmë ne në draftin për reformën në drejtësi, duke u bazuar në udhëzimet e Komisionit të Venecias. Lidhur me ngushtimin e aneksit, e kemi strukturuar saktë duke u përqendruar tek përbërja, ngritja dhe organizimi i institucioneve të përkohshme. Lidhur me Gjykatën Kushtetuese, janë reflektuar të gjitha udhëzimet e Venecias”, tha Sadushi.

Eksperti i maxhorancës tha se grupi hartues është treguar rigoroz në procedurat e përzgjedhjes së gjyqtarëve që të ketë rregulla të qarta dhe të ndershme.

Sadushi tha se është përcaktuar një marrëdhënie më e qartë se në draftin fillestar mes Prokurorit të Përgjithshëm dhe Strukturës së Posaçme Antikorrupsion.

Prokurori dhe struktura e posacmë antikorrupsion – kemi përcaktuar një marrëdhënie më të qartë, që në draftin e parë.

Ashtu siç edhe pritej, opozita kundërshtoi draftin, të cilin e ka quajtur si draft të maxhorancës që çimenton kapjen politike të sistemit të drejtësisë.

Deputeti Eduart Halimi tha se Komisioni duhej të ishte mbledhur fill pas mbërritjes së raportit me udhëzimet e Venecias.

“Duhej të ishte mbledhur komisioni atë ditë. Të ishim ne si Komision që t’i jepnim detyrën ekspertëve që të uleshin bashkë dhe t’u kërkonim implementimin ne si komision udhëzimet e Venecias”, tha Halimi.

Sipas opozitës, kjo ishte rruga e duhur që duhej ndjekur që në fillim dhe palët të lexonin raportin e Venecias, ku sipas Halimit, 15 nga pikat e draftit të mëparshëm bien ndesh me standardet e demokracisë.

“Mes këtyre pikave, Venecia thekson omniprezencën e ministrit të Drejtësisë, kapjen e Komisionit të Kualifikimeve, kapjen e drejtësisë, çimentimin e kapjes së saj”, tha Halimi.

Për opozitën nuk është vonë gjetja e konsensusit mes palëve bazuar tek udhëzimet e Venecias.

“Sot ekspertët mund të marrin detyrat nga Parlamenti dhe të ulen bashkë me ekspertët e opozitës dhe të implementojnë të gjitha udhëzimet e Venecias. Kjo është kërkesa jonë e parë që duhet të shkojë në të njëjtën linjë me rekomandimet e Venecias”, u shpreh Halimi.

Top Channel