Reali bllokohet në merkato, shpenzime marramendëse në dy javë

15/01/2016 12:00

Vendimi i FIFA-s për ta bllokuar në merkaton e transferimeve në verën e 2016 dhe janarit 2017, e ka vënë në lëvizje Realin e Madridit për të bërë tani shpenzimet e parashikuara për t’u bërë gjatë verës.

Sipas asaj që publikohet në median britanike, klubi “merenges”, që bëri të ditur apelimin ndaj këtij ndëshkimi nga FIFA, po përgatitet të shpenzojë plot 250 milionë Paund deri në 31 janar të këtij viti për të bërë disa blerje.

Kështu sipas asaj që publikohet te tabloidi “The Sun”, Reali i Madridit do të tentojë që të sjellë në “Santiago Bernabeu”, Eden Hazard, emri i të cilit është përmendur shpesh në ambientet e tij.

Po kështu, klubi iberik do të tentojë sërish blerjen e David De Geas, pas dështimit në merkaton e verës 2015, ndërkohë që një tjetër emër që po lakohet prej kohësh te 10 herë kampionët e Europës është edhe ai i Sergio Agueros nga Manchester City.

Por jo vetëm kaq, sipas tabloidit tjetër, “Daily Star”, Reali i Madridit ka vënë në shënjestrën e tij edhe 2 futbollistë të tjerë, sulmuesin Harry Kane nga Tottenham dhe mbrojtësin John Stones të Everton.

Top Channel