Basha: Referendum janë zgjedhjet e parakohshme

15/01/2016 12:50

Në intervistën e dhënë për Top Channel, kryeministri Edi Rama shprehu vendosmërinë e maxhorancës për të realizuar reformën në drejtësi si një zgjidhje guximtare për një hall të madh kombëtar, jo për t’ja hedhur qytetarëve me një pazar politik të shitur për konsensus.

Kjo deklaratë e Ramës, e shprehur prej tij edhe përmes rrjeteve sociale, ka ngjallur reagimin e kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Basha ka akuzuar sërish Ramën se me reformën synon kapjen e sistemit të drejtësisë për të mbrojtur, sipas tij, kriminelët që futi në bashki, zyra publike dhe Parlament.

“E quan pazar konsensusin për drejtësinë, kumbari i pazareve me doganat dhe tatimet, me shullazët dhe habilajt, me tenderat dhe koncesionet, me papulët dhe carapulët, nushët e beqët”, shkruan Basha.

Sipas kreut të demokratëve, konsensusin nuk e kërkon opozita, por Komisioni i Venecias.

“Është rruga që e shpëton drejtësinë nga kapja politike. Konsensusi zhduk pazarin, është e kundërta e tij”, shton Basha.

Por sipas shefit të opozitës, pikërisht kjo e tremb Ramën.

“Një drejtësi e pakapur është problem serioz për këtë që ndau me CEZ-in 600 milionë euro, për këtë që ka dhënë mbi 360 milionë euro koncesione miqve të tij. Është problem drejtësia e pakapur për përgjegjësin e 777 milionë euro vjedhje në tendera, për 400 milionë dollarë që u vodhën vjet në dogana. E po kështu, një drejtësi e pakapur do të ishte problem për prengët, ndokët, bushët, roshët, pecët, ndonët e cubat e Edi Ramës, për kokëdhimët, tahirët, beqajt, ahmetajt e gjiknurët e për vetë kreun e bandës së 40 hajdutëve”, shkruan Basha.

Basha flet edhe për dosje e shantazhe që Rama i mban për aleatin e tij Meta dhe për kundërshtarët brenda partisë dhe të korruptuarit e klasës politike.

“Kjo është e tmerrshme për Edi Ramën, ndaj ai këmbëngul të kapë me çdo kusht drejtësinë, edhe pse ashtu si Venecia edhe opinioni vendas e ndërkombëtar kërkon të kundërtën”, thotë kreu i PD-së.

Basha mbyll reagimin e tij në Facebook duke replikuar me deklaratën e Ramës që nuk përjashtoi referendumin për reformën në drejtësi.

“Referendumi e ka emrin zgjedhje të parakohshme, mundësia që qytetarët, të cilët me kohë e kanë grisur kontratën me Edi Ramën, të japin gjykimin e tyre përfundimtar për qeverisjen e tij të dështuar, të korruptuar dhe kriminale”, thotë Basha.

Top Channel