Mbifaturimi i familjes në Bradashesh, masa nga OSHEE

15/01/2016 00:00

Pas publikimit të lajmit në Top Channel për mbifaturimin e një familje në Bradashesh të Elbasanit, ka reaguar OSHEE me anë të drejtoreshës së Drejtorisë së Kontrollit, Besa Bello, duke sqaruar këtë rast.

“Jemi në dijeni të rastit pas ankimimit të abonentit më datë 2/12/2015 lidhur me faturën e muajit mars 2015. Ankesa është marrë në shqyrtim nga Drejtoria Rajonale e Elbasanit, është bërë verifikimi në objekt dhe ka rezultuar se abonenti është mbifaturuar për këtë muaj. Është bërë sistemi i faturës 9 mars 2015 dhe i është reflektuar korrigjimi në faturën e muajit janar 2016”, ka deklaruar Bello.

Sipas saj, lexuesi është shkarkaur menjëherë nga puna, sapo është konstatuar kjo shkelje. Ndërsa e pyetur lidhur me probleme të ngjashme mbifaturimi, drejtoresha Bello ka sqaruar se për vitin 2015, nga rreth 12 milionë fatura të lëshuara, vetëm 0.1% e tyre kishin këtë problem.

Këtë të premte, Top Channel publikoi rastin kur një familje në Bradashesh të Elbasanit ishte faturuar vetëm në një muaj 20.300 kilovat, me një vlerë rreth 230 mijë lekë të vjetra.

Top Channel