Drafti i reformës në Venecia; e mbështet vetëm PS, PD e LSI me opinione të veçanta

15/01/2016 00:00

Duke votuar unanimisht që të dërgojë për herë të dytë në Venecia draftin e ndryshimeve kushtetuese për reformën në drejtësi bashkë me opinionet e veçanta kundërshtuese të LSI-së dhe të Partisë Demokratike, politika fitoi kohë dhe pak qetësi.

Demokratët këmbëngulën që të sqarojnë ndasitë. “Sepse praktikisht, në këtë mënyrë siç po sillemi, drafti i të ashtuquajturve ekspertë të nivelit të lartë në fakt ngel vetëm drafti i PS-së”, deklaroi deputeti Gent Strazimiri.

Derisa Komisioni i Venecias të flasë sërish sesi duhet bërë reforma në drejtësi, debati do të vazhdojë të përqendrohet se kush e do të kapur dhe kush e do të pavarur drejtësinë nga politika. Ky ishte lejtmotivi i të gjitha diksutimeve në komisionin e posaçëm parlamentar.

“Kur të ketë 84 vota duhet të jetë 94. Këtë themi ne, këtë thotë Venecia në rekomandimin 55 për Shqipërinë, që kupola e drejtësisë të mos emërohet nga shefat e mazhorancës aktuale dhe të asaj që do të vijë. Nëse duhet t’i ikim pazarit, duhet të shkojmë tek Venecia. Nëse duam t’i ikim Venecias, duhet të shkojmë tek pazari”, tha deputeti i PD, Eduard Halimi.

“Por nëse 84 quhet pazar, pse nuk është dhe 94 pazar? Sipas kësaj logjike i bie që të jenë 94 deri vitin që vjen, pas vitit që vjen të shohim si do t’ia bëjmë. Pra, logjika juaj është që kur janë 84 duhen bërë 94, ndërsa kur ju i keni 71 duhet bërë 84. Po pse, kushtetutë sezonale do jetë kjo? Kushtetutë për verë e për dimër”, u përgjigj kryetari i komisionit, Fatmir Xhafaj.

Fjala “Pazar” nuk ishte e rastësishme në fjalorin e debatit poilitk. Atë e kishte përdorur që herët në mëngjes kryeministri Edi Rama, kur postoi në Facebook intervistën për Top Channel. Dhe fjala “Pazar” nuk i shpëtoi as Spartak Brahos së LSI-së, që e orientoi të gjithë diksutimin drejt konsensusit dhe dialogut me opozitën.

“Procesi të jetë konsensual, ne kësaj nuk i shpëtojmë dot. Jo konsensusi i pazareve, por konsensusi profesional duke vazhduar pa ndërprerje dialogun dhe dialogun do ta bëjmë këtu”, deklaroi Braho.

Qëndrimi i kryeministrit pro referendumit, nëse palët nuk gjejnë konsensus, u reflektua tek shumica e socialistëve që diskutuan. Megjithatë, Arben Ristani, dikur kryetar i KQZ, shpjegoi se ligji aktual e bën gati të pamundur fitoren e një referendumi, që do t’u paraqitej si opsion i njëanshëm qytetarëve.

“Por, edhe nëse do biem dakord të mos biem dakord, në funksion të transparencës ne kemi edhe rrugën e shkuarjes tek publiku, tek referendumi”, deklaroi Pandeli Majko.

“Që referendumi të fitojë do jo më pak se 1 të tretën e zgjedhësve në listë që të votojnë pro. Pra, jo më pak se 1 milion vota pro që të fitojë referendumi. Dhe kjo duhet të jetë 50 plus 1 e pjesëmarrjes, që do të thotë se duhet të marrin pjesë jo më pak se 2 milionë e ca njerëz. Ideja e referendimit është një ballo me maska”, reagoi Ristani.

I vetmi që nuk foli për referendum nga socialistët ishte kryetari i komisionit, Fatmir Xhafaj, i cili u përpoq të shpejgonte fazat e procesit teknik dhe politik të reformës.

“Dhe do të gjykojmë se për çfarë na kanë thënë ‘nuk e ndryshoni dot se është standard ndërkombëtar’, për të cilin ne kemi rënë dakord ta respektojmë, ne nuk do ta prekim. Çfarë thuhet se ‘mund të jetë standard por mbetet në vullnetin tuaj’, ne do ta diskutojmë. Do diskutojmë dhe do vendosim për t’ia çuar Parlamentit dhe kjo do të na cojë pastaj në atë që quhet zgjidhje konsensuale”, sqaroi Xhafaj.

Dhe meqë metafora e “trenit të reformës” vazhdon të jetë aktuale, Spartak Braho qartësoi edhe stacionet. “Stacioni i parë është ekspertët, i dyti komisioni, i treti Venecia. Vajtje-ardhje disa herë”, tha Braho.

Top Channel