Kosovë, lirohen nga arresti shtëpiak Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu

15/01/2016 00:00

Gjykata e Apelit e Kosovës njofton se ka vendosur që të akuzuarve Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu, t’u  ndërpritet masa e arrestit shtëpiak dhe të njëjtit të lirohen për t’u mbrojtur në liri.

“Kështu kolegji penal prej tre gjyqtarësh i kësaj gjykate, ka aprovuar si të bazuara ankesat e avokatëve mbrojtës, të  personave në fjalë, kundër dy aktvendimeve  të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të nxjerra me 28.12.2015 dhe me 06.01.2015”, thuhet në komunikatën për shtyp nga kjo gjykatë.

Sipas vlerësimit të Gjykatës se Apelit, pretendimet ankimore janë të bazuara, pasi sikurse del nga shkresat e lëndës, nuk plotësohet asnjeri prej kushteve të veçanta, të parapara në Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, mbi bazën e të cilave të pandehurve iu është vazhduar masa e arrestit shtëpiak.

Kjo për faktin se atyre u dihet identiteti, vendbanimi, si dhe nuk ekzistojnë rrethana të tjera të cilat tregojnë, se ekziston rreziku i ikjes, arratisjes, apo përsëritjes se veprës penale.

Top Channel