Dëmtimi i urave në Tiranë, nis rikonstruksioni

15/01/2016 14:30

Prej disa ditësh 1500 banorë të fshatit Qeha në Petrelë nuk kanë mund të qarkullojnë pas prishjes së urës. Përmbytjet e ditëve të fundit sollën shkatërrimin e kësaj ure. Kreu i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj dhe ministria e Mbrojtjes kanë përuruar ndërtimin e kësaj ure.

“Kaluam disa ditë shumë të vështira në fillim të vitit të ri, ne patëm disa shembje urash në të gjithë zonën rurale të Tiranës dhe jam shumë mirënjohës që Mimi Kodheli dhe ushtria shqiptare janë në krye të punëve dhe më vjen mirë që Tirana ka qënë përfituesja kryesore e gjithë ndërhyrjeve të emergjencës. Kjo urë e shkatërruar jo vetëm prej përmbytjeve, por dhe masakrës urbane që kemi bërë, gërryerjes së shtretërve të lumenjve, të këmbëve të urave, duke menduar që gjërat nuk prishen dhe nuk dëmtohen”, tha kryebashkiaku Veliaj.

“Suksesi qëndron pikërisht te bashkëpunimi i FA-ve, në këtë rast me pushtetin lokal. Bashkarisht kemi bërë pastrime masive, për fat të keq duhet të jemi pranë qytetarëve dhe në rastet e përmbytjeve dhe keqtrajtimit të natyrës dhe gjithçkaje që duhet ta mirëmbajmë”, u shpreh Mimi Kodheli, ministre e Mbrojtjes.

Ministria e Mbrojtes pohoi se është rikonstruktuar ura në Zall Bastar, në Qeha dhe në Ferraj, ndërkohë që probleme ka patur në Mullet si dhe në disa zona të Malësisë së Tiranës.

Top Channel