Forumi Ekonomik Botëror: Largimi i shqiptarëve, risku më i madh i bzinesit

15/01/2016 15:10

Eksodi masiv i popullatës gjatë vitit të kaluar ka alarmuar bizneset shqiptare, të cilat tani e konsiderojnë emigrimin masiv si riskun kryesor të ekonomisë. Përfundimi vjen nga raporti i rreziqeve globale për vitin 2016 që publikohet nga Forumi Ekonomik Botëror i Davosit.

Sipas raportit, i cili hartohet duke pyetur direkt ndërmarrjet, mbi 78 për qind e bizneseve në shqipëri kanë vënë emigrimin masiv të detyruar si rrezikun kryesor për të bërë biznes në vend.

Shqipëria u përball me një eksod të shtuar vitin e kaluar, kur dhjetëra mijëra shqiptarë u larguan nga vendi për të kërkuar azil në vendet perëndimore. Kjo duket se ka prekur bizneset, të cilat i druhen largimit të forcës puntore, kryesisht krahut të kualifikuar dhe rinisë, por edhe rënies së ekonomisë, pasi largimi masiv i individëve rrudh konsumin dhe ekonominë.

Shoqatat e sipërmarrësve gjatë vitit janë ankuar shumë herë se ofrojnë vende pune, por e kanë të vështirë të gjejnë njerëz të kuaklifikuar për t’i punësuar.

Sipas raportit, në vendin e dytë si rreziku kryesor i të bërit biznes në Shqipëri është një krizë e mundshme fiskale. Rreth 65 për qind e ndërmarrjeve në vend i druhen rrezikut të një krize buxhetore, çka përveçse do të godiste ekonominë do të çonte në masa të jashtëzakonshme si rritja e fortë e taksave.

Ndërsa rreziku i tretë më i lartë nga bizneset në Shqipëri janë konsideruar luahtjet e forta në çmimin e energjisë, si në rënie ashtu dhe në rritje. Lista e pesë rreziqeve të para të biznesit pasohet nga papunësia e lartë dhe dështimi i ndonjë mekanizmi apo institucioni financiar.

Raporti global i rreziqeve është dokumenti kryesor i cili përvijon hartën  e risqeve në botë. Për vitin 2016, rreziku më i madh për të bërë biznes në shkallë botërore është cilësuar papunësia, ndërsa në vendin e dytë dhe të tretë renditen goditjet në çmimin e energjisë dhe krizat fiskale.

Sipas Forumit Ekonomik Botëror, raporti është hartuar duke pyetur mbi 13 mijë drejtues biznesesh nga 140 vende të botës gjatë periudhës shkurt-qershor të vitit 2015 dhe për hartimin e këtij raporti kanë punuar mbi 750 ekspertë.

Top Channel