Ecclestone: Mercedesi do të jetë superior edhe në vitin 2016

15/01/2016 16:30

Mercedesi do jetë superiore ndaj skuadrave të tjera edhe në Botërorin e vitit 2016 në Formulën 1. Ky është opinioni i dhënë nga Bernie Ecclestone në një intervistë për radion “TSN”, ku theksoi se edhe këtë vit skuadra gjermane nuk do të ketë rivalë.

“Do të doja të thoja që në vitin 2016 Mercedesi do të rivalizohet, por për fat të keq nuk mund ta bëj një deklaratë të tillë. Mercedesi është një skuadër e fortë dhe ka motorin më të mirë se çdo skuadër tjetër dhe padyshim ka në përbërje një prej pilotëve më të mirë. Kështu që për të gjithë do të jetë e veshtirë për ta mundur këtë skuadër”, deklaroi Ecclestone.

Bosi i Formulës 1 vuri në dukje edhe ndikimin që ka Mercedesi, por edhe Ferrari, duke qenë se ato furnizojnë me motorë edhe shumë skuadra të tjera dhe përjashtim bëjnë vetëm Red Bulli, McLareni dhe Lotusi.

“Mercedesi furnizon 4 skuadra të tjera me motorë, por fuqia e tyre është më e vogël se ajo e motorit që përdorin pilotët e saj. Kjo do të thotë që 4 skuadra janë tashmë jashtë loje. Kështu që ajo që shpresoj vërtet është që të shoh një garë të fortë mes Mercedesit e Ferrarit”, tha Ecclestone.

Top Channel