Hagë, nis themelimi i “Gjykatës Speciale” për krimet e luftës

15/01/2016 00:00

Tashmë është bërë zyrtare. Gjykata speciale, që pritet të gjykojë krimet e luftës të bëra gjatë luftës në Kosovë nën pushtimin serb, është duke u ngritur në qytetin e Hagës, në Holandë.

Lajmi është bërë i ditur nga qeveria holandeze, ndërsa ashtu siç dihej, gjykata pritet të gjykojë krimet më serioze të kryera gjatë viteve 1999-2000 të supozuara nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kundër minoriteteve etnike dhe kundërshtarëve politikë, thuhet në deklaratën e kësaj qeverie.

Gjykata pritet të nisë nga funksionimi më vonë gjatë këtij viti. Konflikti i dhunshëm i atyre viteve çoi në ndarjen e Kosovës nga Serbia dhe në shpalljen e Pavarësisë së saj.

Gjykata, së cilës shpesh i referohemi si “Gjykata Speciale” por që zyrtarisht quhet Institucioni i Specializuar Gjyqësor i Zhvendosur nga Kosova, është themeluar nga Bashkimi Europian.

Deklarata e pranon se, gjykimi i krimeve të luftës “është një çështje tepër e ndjeshme në Kosovë”. “Të dyshuarit e mundshëm shpesh mund të konsiderohen nga seksione të ndryshme të shoqërisë kosovare si luftëtarë të lirisë dhe pavarësisë, ndërkohë që dëshmitarët mund të ndihen të kërcënuar në Kosovë”, duke justifikuar në këtë mënyrë edhe arsyen se përse gjykimi i këtyre çështjeve do të bëhet jashtë territorit të Kosovës.

Deklarata e plotë e qeverisë holandeze:

“Një gjykatë speciale do të vendoset në Hagë për të gjykuar çështje, që përfshijnë krime të kryera gjatë dhe menjëherë pas luftës së Kosovës. Kabineti holandez miratoi kërkesën e BE-së, që kjo gjykatë e Kosovës të vendoset në Holandë.

Gjykata, e cila zyrtarisht do të quhet “Institucioni i Specializuar Gjyqësor i Zhvendosur nga Kosova” (Kosovo Relocated Specialist Judicial Institution) pritet të fillojë punë gjatë këtij viti. Do të funksionojë në ish-ndërtesën e “Europol”-it sapo të jetë ndërtuar shtesa për një sallë gjyqi. Gjatë kësaj kohe, gjykata do të vendoset diku tjetër në Hagë.

Gjykata do të gjykojë krime të rënda, që dyshohet të jenë kryer gjatë viteve 1999-2000 nga anëtarë të UÇK-së, kundër minoriteteve etnike dhe kundërshtarëve politikë. Kjo është një çështje e ndjeshme në Kosovë. Të dyshuarit e mundshëm mund të shihen nga pjesë të ndryshme të shoqërisë kosovare, si luftëtarë të lirisë, ndërsa dëshmitarët mund të ndihen të kërcënuar në Kosovë. Prandaj u shfrytëzua mundësia për t’i gjykuar këto raste jashtë Kosovës.

Vendimi për ta vendosur gjykatën në Hagë u mor pas konsultimeve mes BE-së dhe autoriteteve kosovare e atyre holandeze. Gjykata do të financohet nga fondet e BE-së.

“Është e rëndësishme të vendoset drejtësia”, tha ministri i Jashtëm holandez, Bert Koenders. “Ne jemi të kënaqur, që mund t’i ofrojmë kësaj gjykate një strehë”. Koenders dhe ministri i Sigurisë dhe Drejtësisë, Ard van der Steur, lanë të kuptohet se Holanda beson se ka përgjegjësi speciale në këtë drejtim, si vend i disa gjykatave ndërkombëtare dhe tribunaleve të tjera.

“Kjo është një mundësi e mirë, që më në fund të bëhet drejtësi dhe të burgosen njerëzit përgjegjës të akteve të gabuara që kanë bërë”, tha van der Steur.

Gjykata, e cila do të përbëhet nga gjykatës ndërkombëtarë, do të themelohet në bazë të ligjeve kosovare. Kjo do të thotë se, ajo nuk është gjykatë ndërkombëtare, por një gjykatë kombëtare kosovare, e cila administron drejtësinë jashtë Kosovës. Gjykata do të funksionojë sipas standardeve më të larta të legjislacionit procedurial.

Të dënuarit nuk do ta vuajnë dënimin në Holandë.

Qeveritë e Holandës dhe të Kosovës kanë arritur një marrëveshje për procedurat e gjykatës. Marrëveshja duhet të miratohet nga parlamentet e secilit shtet.

Top Channel