Pragsesioni parlamentar, Veseli pret ambasadorin e SHBA-ve Delawie

15/01/2016 00:00

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli priti këtë të premte në një takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Greg Delawie, me të cilin bisedoi për zhvillimet aktuale në vend, fillimin e sesionit të ri parlamentar dhe domosdoshmërinë e ecurisë normale të punimeve të Kuvendit.

Sipas një komunikate për shtyp nga Kuvendi, ambasadori amerikan përsëriti edhe njëherë mbështetjen e tij për vazhdimin e punës së Kuvendit konform funksioneve kushtetuese të tij, në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit.

Kryetari Veseli theksoi nevojën e kthimit të dialogut në Kuvend ndërmjet të gjitha palëve, si mënyra e vetme për kapërcimin e mospajtimeve që kanë përshkuar prej disa muajsh raportet midis subjekteve politike. Në funksion të kësaj, ai shprehu interesimin për rolin tij përafrues pozitë-opozitë në gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme, e cila do t’i hapte rrugë krijimit të kushteve për punë normale në Kuvend.

Ishte mirëkuptim i përbashkët i të dy bashkëbiseduesve, fakti se duhet të hiqet dorë nga përdorimi i mjeteve jodemokratike dhe të dhunshme në Kuvend, duke iu kthyer respektimit të dispozitat ligjore dhe kushtetuese.

Top Channel