Përvjetori i 17 i masakrës së Reçakut, i pranishëm edhe ish-ambasadori i OSBE-së

15/01/2016 00:00

Kontributi që dha diplomati amerikan, William Walker, në sensibilizimin e bashkësisë ndërkombëtare për masakrat në Kosovë, do të nderohet me ndërtimin e një shtatoreje në kompleksin memorial në Reçak.

15 janari shënon 17-vjetorin e njërës prej masakrave më të rënda, që forcat serbe kryen në Kosovë gjatë luftës. Diplomati Walker, që në atë kohë ishte ambasador i OSBE-së, kishte vizituar Reçakun në ditën tragjike, ndërsa në këtë përvjetor ai u shpreh i kënaqur, që Reçaku është kthyer në një pikë përkujtimi e luftës në Kosovë.

“Jam shumë i lumtur që shoh shumë njerëz këtu. Nuk e dija sa mirë përkujtohej Reçaku, por e di se kjo zonë e përkujton, unë e përkujtoj. Por të shohësh kaq shumë fëmijë dhe njerëz këtu është shumë mbresëlënëse, ndaj dhe jam shumë i inkurajuar nga kjo”, tha William Walker, ish-shef i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë.

Kompleksin memorial në Reçak e vizituan edhe shumë nga krerët e institucioneve qendrore dhe kryetarë të partive opozitare.

Ndërkohë, në kuadër të aktiviteteve në nder të 17-vjetorit të masakrës së Reçakut, u mbajt edhe një Akademi përkujtimore në Komunën e Shtimës. Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga kërkoi sërish nga partitë politike të zgjedhin dialogun, si mënyrën e vetme për ta tejkaluar krizën politike.

“Paqja ndërtohet me mund dhe ajo nuk mund të humbet. Gjuha jonë është ajo e dialogut dhe jo ajo e dhunës; është shtrirja e dorës së mirëkuptimit dhe jo e përplasjes; është përpjekje për të gjetur zgjidhje pa prekur shtetin, pa sfiduar institucionet dhe pa rrënuar themelin e tij. Në këto sfida politike do të na duhet që të ulemi sërish, të flasim dhe të gjejmë zgjidhje të përbashkëta – me gjuhën e dialogut”, tha Atifete Jahjaga, Presidente e Kosovës.

Diplomati Walker, teksa kujtoi masakrën e Reçakut, kërkoi që populli i Kosovës – siç tha ai, – të bëjë një rizotim për atë që ka kërkuar para 17 vitesh.

“Sot, kur e shoh Kosovën dhe mendoj për të, vërej se Kosova është paksa e humbur sa i përket të ardhmes, ndoshta ka një lloj depresioni të pranishëm. Unë do të kisha dëshirë, që këto të mund të tejkaloheshin. Prandaj, në çdo përvjetor kur vij këtu, kur i shoh njerëzit në përkujtim të masakrave, mendoj se këto ngjarje duhet të shërbejnë që populli të ridedikohet, të rizotohet për atë që ka kërkuar”, tha më tej William Walker.

Më 15 janar 1999, forcat ushtarake e paraushtarake serbe vranë dhe masakruan 45 shqiptarë, mes të cilëve edhe një grua.

Top Channel