“Paqe me kurdët”, arrestohen 12 docentë universitarë në Turqi

15/01/2016 18:55

Policia turke ka arrestuar 12 docentë universitare nën akuzën e “propagandës terroriste” në favor të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, pasi kishin firmosur një apel që kërkon një zgjidhje paqësore të çështjes turke.

Urdhërarreste janë lëshuar edhe ndaj 9 akademikëve, të cilët megjithatë nuk janë ndaluar ende, ka raportuar agjencia e lajmeve “Anadolu”. Sipas burimit mediatik, masa e arrestit është vendosur nga prokuroria e lokalitetit Kocael, në jug të Stambollit.

Apeli i firmosur nga docentët ishte një nismë e grupit Akademikët e Paqes, me titullin “Nuk do të jemi pjesë e këtij krimi”, duke iu referuar operacioneve të kryera nga Ankaraja në jug-lindje të Turqisë, zonë e banuar nga shumicë kurde, ku javën e kaluar mbetën të vrarë qindra persona, mes të cilëve shumë civilë.

I firmosur deri tani nga 6.492 persona, apeli do të mbetet i hapur për firma deri në mbrëmjen e sotme dhe deri tani ka marrë mbështetjen e docentëve dhe studiuesve të dhjetëra universiteteve, përfshirë ato të huaja, mes të cilave Noam Chomsky.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan i kishte kritikuar ashpër ata, duke e cilësuar veprimin e tyre si “një akt tradhëtie” ndaj Turqisë. “Vetëm sepse kanë tituj si profesor apo doktor përpara emrave të tyre nuk do të thotë se janë mendjendritur. Këta persona kanë qëllime të errëta, janë mizorë dhe të ulët. Kush mbështet masakrat e PPK-së kontribuon në krimet e saj. U kam bërë thirrje gjyqtarëve që të bëjnë sa më parë gjithçka që është e nevojshme”, ka deklaruar Erdogan.

Ndërkohë, Këshilli i Lartë i Arsimit ka paralajmëruar masa ndëshkuesve ndaj docentëve dhe akademikëve në fjalë. Ditën e enjte, agjencia e lajmeve “Anadolu” publikoi lajmin se të gjithë firmëtarët e nismës kishin përfunduar nën hetim.

Top Channel