Francë, testohet qetësuesi me bazë kanabisin. Pacientët, në gjendje të rëndë

15/01/2016 00:00

Një person ka pësuar “vdekje cerebrale”, e thënë ndryshe gjendje kome por e pakthyeshme, si dhe 5 persona të tjerë janë shtruar në gjendje kritike për jetën në një spital të Rennes, pasi kishin marrë pjesë në testimin e një medikamenti të ri eksperimentar, të prodhuar nga kompania portugeze e barnave “Bial”. Lajmi është konfirmuar nga ministrja franceze e Shëndetësisë, Marisol Touraine, këtë të premte.

Kanë qenë 90 persona gjithsej, ata që kanë marrë pjesë në testimin e këtij medikamenti, doza ilaçesh të përziera që synonin të luftonin çështje të humorit dhe ankthit, ashtu sikurse edhe çrregullimet e koordinimit të lëvizjes si pasojë e çështjeve neurologjike, tha Touraine.

6 personat e mbetur në gjendje kritike për jetën janë të grupmoshës 28-42 vjeç dhe zotëronin një gjendje tepër të mirë shëndetësore, përpara se të merrnin në rrugë orale medikamentin, në laboratorin privat “Biotrial”, të specializuar dhe të licencuar për testime klinike, deklaroi më tej ministrja franceze.

“Kjo ngjarje është e paprecedentë”, tha Touraine në një konferencë për mediat pasi u takua me vullnetarët dhe familjet e tyre në qytetin veriperëndimor të Francës, Rennes. “Do të bëjmë gjithçka për të kuptuar se çfarë ka ndodhur konkretisht”.

Për këtë ngjarje kanë hapur hetime edhe prokurorët. 6 personat e ndierë keq pas testimit e kishin nisur marrjen në rrugë orale të medikamentit më 7 janar. Vullnetari që paraqitet në gjendjen më të rëndë, atij që “i ka vdekur truri” në mënyrë të pakthyeshme, u shtrua në spital ditën e hënë sipas ministres.

Edhe për 3 nga 5 të shtruarit e tjerë, të cilët u paraqitën në spital të mërkurën dhe të enjten, ekziston frika për dëmtime të parikuperueshme – siç tha doktor Gilles Edan, – e megjithatë ai ende shpreson që të mos jetë ky rast me të tillë përfundim. Njëri prej të shtruarve nuk ka simptoma çrregullimi, por është vënë nën monitorim të rreptë, shtoi doktori në fjalë.

Testimet janë kryer gjithashtu edhe te kafshët, përfshi këtu shimpanzetë, duke nisur prej korrikut, tha Touraine. Të gjitha testimet e këtij medikamenti janë pezulluar dhe të gjithë vullnetarët që kanë marrë pjesë në këtë testim janë thirrur me urgjencë për t’u pasur nën mbikëqyrje.

Medikamenti i përfshirë në të ashtuquajturën “frenuesi FAAH”, funksionon duke prekur sistemin endokanabinoid të trupit njerëzor, i cili është përgjegjës për kundërpërgjigjen e njeriut ndaj kanabisit.

Top Channel