“Call of Duty” paditet nga fëmijët e kreut të rebelëve të Angolës

15/01/2016 00:00

Familja e kryetarit të vrarë të rebelëve në Angola, Jonas Savimbi, do të padisë prodhuesit e video-lojës “Call of Duty”, pasi e kanë paraqitur babain e tyre si “barbar”. Tre nga fëmijët e Savimbit, të cilët jetojnë në Paris, kërkojnë 1 milion euro si dëmshpërblim.

Dhjetë vite pas vdekjes, fëmijët zbuluan se i ati i tyre shfaqej në “Call of Duty: Black Ops II”, lojë e nxjerrë në treg në vitin 2012. Avokatja e familjes, Carole Enfert thotë se Savimbi paraqitet në këtë video-lojë si një “njeri që kërkon të vrasë këdo”, një imazh i tmerrshëm që nuk përkon aspak me personalitetin e tij si “një udhëheqës politik dhe strateg”.

Jonas Savimbi ishte themeluesi dhe lideri i Bashkimit Kombëtar për Pavarësi Totale të Angolës (UNITA), që luftoi 27 vite kundër qeverisë së Luandës. Ai u vra në vitin 2002, duke i hapur rrugën një marrëveshjeje për paqe që i dha fund njërit prej konflikteve më gjakësorë të Afrikës, konflikt që shpërtheu pas pavarësisë së Angolës nga Portugalia në vitin 1975.

Lufta civile shkaktoi gjysmë milioni viktima, ndërsa 4 milionë të tjerë u larguan nga vendi i pasur me naftë.

Top Channel