Irani pret raportin e IAEA-së; gati momenti i lehtësimit të sanksioneve

15/01/2016 00:00

Kanë mbetur më pak se 24 orë nga momenti, që do t’i hapte rrugën lehtësimit të sanksioneve ndaj Iranit.

Lajmi bëhet i ditur nga një burim diplomatik, i cili ka thënë se raporti i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore (IAEA), që me të gjitha gjasat do të publikohet të shtunën, pritet të verifikojë mbajtjen e premtimeve të Iranit bazuar mbi marrëveshjen bërthamore që Teherani arriti vitin e kaluar me fuqitë më të mëdha të botës.

Ndërkohë zyrtarë iranianë dhe disa të tjerë kishin njoftuar se, këtë raport e prisnin të publikohej që nga kjo e premte. “Është arritur akord thuajse mbi të gjitha detajet”, tha një tjetër burim diplomatik nga Vjena.

Sipas zyrtarëve iranianë, ministri i Jashtëm i Republikës Islamike, Mohammad Javad Zarif, dhe shefja e Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini, priten të japin një deklaratë të shtunën ose të dielën mbi atë që konsiderohet si “Dita e Implementimit” të marrëveshjes bërthamore dhe heqjes së sanksioneve.

Bazuar mbi marrëveshjen historike bërthamore, që Irani arriti me Shtetet e Bashkuara, Rusinë, Kinën, Britaninë, Francën dhe Gjermaninë gjatë korrikut të vitit të kaluar në Vjenë, Republika Islamike ra dakord të tkurrte në mënyrë të ndjeshme apo dramatike programin e saj bërthamor, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.

Që prej atëherë, Irani ka reduktuar në mënyrë drastike sasinë e centrifugave të instaluara në vendet e pasurimit të uraniumit, ndërkohë që ka transportuar tonelata të tëra të uraniumit të pasuruar në nivele minimale drejt Rusisë, si dhe çmontoi bërthamën e reaktorit bërthamor në Arak.

Top Channel