Llalla: Vrasjet, larje hesapesh. Shkak, trafiku i drogës

15/01/2016 20:10

Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla ka zgjedhur Vlorën për të folur në mënyrë enigmatike për ngjarje që nga qyteti bregdetar kanë lidhje me të tjera të ndodhura në vend.

Edhe pse grupet hetimore të ngritura për të zbardhur atentatet që i morën jetën shtetasit Reagim Meli në Vlorë dhe Granit Kasës në Fier nuk kanë dalë ende me një version që mund t’i bashkojë këto ngjarje, fjala e kryeprokurorit nënkuptoi pikërsisht këtë gjë.

“Vlerësuam që analizën e parë vjetore për këtë vit ta fillojmë nga Prokuroria e Fierit, Vlorë, gjë që nuk ishte rastësore. Kjo, jo vetëm për shkak të shtrirjes së gjerë gjeografike ku ushtron aktivitetin kjo prokurori, por sidomos për shkak të disa ngjarjeve specifike kriminale të ndodhura kryesisht në semgentin Vlorë-Fier, të cilat më pas rezulton se kanë qenë të lidhura me ngjarje të tjera problematike në qytete të tjera të vendit”, deklaroi Llalla.

Por kryeprokurori u ndal edhe tek një çështje tjetër delikate, siç është falsifikimi i dokumentave, me anë të të cilave persona të ndryshëm kanë tjetërsuar pronësinë e tokës. Në referim të kësaj vepre penale, organi i akuzës së Vlorës ka bllokuar pasuri me vlerën e disa milionë eurove, duke ia kaluar në pronësi shtetit.

“Gjatë vitit të kaluar ka pasur një sërë çështjesh të suksesshme, ku do vlerësoja ato që kanë të bëjnë me falsifikimin e dokumenteve pronësore. Konfliktet lidhur me dokumentat pronësore janë shoqëruar me dinamika të tjera kriminale, duke sjellë për rrjedhojë konflikte të shoqëruara me pasojë jetën e njerëzve”, nënvizoi Llalla.

Ai kërkoi sinkronizim të punës së policisë me prokurorinë përsa i takon hetimit të kultivimit të lëndës narkotike, pasi sipas kreut të akuzës edhe pse ka patur aksione të shpeshta antikanabis, jo gjithmonë ato janë shoqëruar me evidentimin e personave përgjegjës.

Ndërkohë, për prokurorin e përgjithshëm, gjykatat e Vlorës dhe Fierit janë “rrethet më bujare” në rang vendi që japin më së shumti pafajësi.

“Janë gjykatat e Vlorës dhe Fierit, por në mjaft raste të mbështetura edhe nga Gjykata e Apelit të Vlorës, edhe pse në vlerësimin tonë kërkesat tona kanë qenë të bazuara në ligj e të argumentuara që gjykata të vendoste ndëshkimin e autorëve të veprave penale. Kjo nuk përjashton edhe përgjegjësinë tonë, që të vijojmë paraqitjen para gjykatës me prova më të plota, në mënyrë që rasti të jetë i vërtetuar e të mos merren vendime të pajustifikuara nga gjykatësi”, theksoi Llalla.

Top Channel