Politikat për emigrantët, ish-kancelari Schroeder sulmon Merkel

15/01/2016 22:50

“Kapacitetet e pritjes, kujdesjes dhe integrimit të emigrantëve në Gjermani është e kufizuar. Të gjitha të tjerat janë një iluzion”.

Është ky sulmi direkt ndaj politikës së Angela Merkel për refugjatët që vjen nga ish-kancelari gjerman Gerhard Schroeder, në një intervistë për një gazetë lokale.

Schroeder e cilëson një “gabim” lejimin e fluksit të pakufizuar të refugjatëve drejt Gjermanisë.

“Është njësoj sikur kufijtë kombëtarë të mos kenë më asnjë rëndësi. Dhe kjo, përveçse nuk është e drejtë, është dhe shumë e rrezikshme”, ka thënë Schroeder.

Ish-kancelari ka bërë kritika edhe në adresë të partisë së Merkel, CDU, të cilën e bën përgjegjëse për refuzimin e një ligji mbi emigracionin.

“Është injoruar realiteti dhe për pasojë, tani qindra mijëra emigrantë detyrohen t’u nënshtrohen procedurave të kërkimit të azilit sepse nuk janë cilësuar si kontigjente përmes një ligji të ri mbi të drejtën e azilit”, ka thënë më tej Schroeder.

Top Channel