Sulmohet një hotel në Burkina Faso, 20 të vdekur

16/01/2016 00:00

Të paktën 20 persona kanë vdekur dhe 15 të tjerë janë plagosur pas një sulmi në një hotel në Ouagadougou, kryeqytetin e Burkina Fasos. Të armatosurit kanë arritur të marrin disa pengje dhe kanë shtënë zjarr në drejtim të forcave të sigurisë.

Dëshmitarët thonë se dy makina-bombë shpërthyen jashtë hotel “Splendid” rreth orës 19:30 me kohën lokale, ndërsa më pas tre deri në katër persona të armatosur hynë në hotel.

Ky hotel njihet për shkak se përdoret nga stafi i Kombeve të Bashkuara dhe perëndimorët.

Drejtori i spitalit të qytetit, Robert Sangare, ishte ai që deklaroi se 20 persona kanë humbur jetën deri më tani, ndërsa 15 të tjera janë të plagosur.

Edhe ministri i Jashtëm, Alpha Barry reagoi pas ngjarjes, duke thënë se forcat e sigurisë janë duke tentuar të shpëtojnë pengjet, ndërsa nuk mohoi që ata të ndihmohen nga forcat speciale franceze.

Një grup që monitoron rrjetin xhihadist deklaroi se Al-Qaeda në Afrikën Veriore ka marrë përgjegjësinë për sulmin.

Top Channel