Maqedoni, mbi 12 orë bisedime. LSDM: Nuk marrim pjesë në zgjedhjet e prillit

16/01/2016 00:00

Partia maqedonase LSDM nuk do të merr pjesë në zgjedhjet e 24 prillit, pasi vlerëson se në vend nuk janë përmbushur kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike.

Këtë e ka bërë të ditur kreu i LSDM-së, Zoran Zaev, i cili pas takimit me Komisionarin europian për Zgjerim, Johannes Hahn, i shpalli të dështuara bisedimet që zhvillohen mes katër partive kryesore në Shkup për zbatimin e marrëveshjes së 2 qershorit.

“Për ne nuk janë të pranueshme pa e rregulluar çështjen e mediave dhe pa u bërë pastrimi i listës zgjedhore. Nëse mbahen zgjedhjet më 24 prill ne nuk do të marrim pjesë në to”, deklaroi Zaev.

Pas bisedimeve me udhëheqësit politikë në Shkup që zgjatën mbi 12 orë, Komisionari Hahn tha se Maqedonia ndodhet në një gjendje shumë të rëndë. Sipas tij, marrëveshja për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare nuk u arrit për shkak të kundërshtimit të LSDM-së që ato të mbahen më 24 prill.

“Sot kuptova se nuk është e mundur të arrihet një marrëveshje që të gjithë liderët e partive politike të jenë të gatshëm për zgjedhjet e prillit, ashtu siç e parashikon marrëveshja e 2 qershorit. Megjithatë, unë jam i bindur se zgjedhjet e parashikuar për 24 prill mund të mbahen nëse të gjitha palët angazhohen në përmbushjen e Marrëveshjes së Përzhinos”, tha Hahn.

Sipas kryeministrit Nikolla Gruevski, lideri i LSDM-së Zoran Zaev, po kërkon shtyrjen e zgjedhjeve pasi është i vetëdijshëm për humbjen e thellë që e pret. Partia e Gruevskit, gjatë ditëve në vijim, do të vendosë për zgjedhjet e 24 prillit.

“Na shpenzoi më shumë se 12 orë neve, përfaqësuesve të tri partive të tjera, dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë, duke insistuar që zgjedhjet të mos mbahen më 24 prill. Ne e kemi të qartë sjelljen e Zoran Zaevit, i cili është i vetëdijshëm për humbjen e zgjedhjeve, por kjo sjellje e tij nuk është e pranueshme”, tha Gruevski.

Lidhur me largimin nga posti i kryeministrit, Gruevski tha se dorëheqja do të aktivizohet 100 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve. Pas takimit me Komisionarin Hahn, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, bëri thirrje që partitë të vendosin interesat shtetërore mbi ato partiake dhe kërkoi të arrihet një zgjidhje konsensuale për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, kurse lideri i PDSH-së opozitare Menduh Thaçi, nuk u foli për takimin duke thënë se një gjë të tillë do ta bëjë z. Hahn.

Top Channel