SHBA, Irani dhe BE, “sy më sy” në Vjenë

16/01/2016 00:00

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Irani dhe Bashkimi Europian do të takohen sot (e shtunë) në Vjenë për të diskutuar mbi zbatimin e marrëveshjes së armëve bërthamore me Iranin.

Njoftimi ka ardhur nga Departamenti Amerikan i Shtetit që deklaroi se Sekretari i Shtetit, John Kerry do të ulet në tryezë me ministrin e Jashtëm iranian, Javad Zarif dhe me shefin e Politikës së Jashtmë te BE-së, Federica Mogherini.

“Të gjitha palët kanë bërë progres të vazhdueshëm drejt zbatimit të marrëveshjes”, thuhej në njoftimin e DASH, që për ekspertët është një shenjë se implementimi është afër.

Bazuar mbi marrëveshjen historike bërthamore, që Irani arriti me Shtetet e Bashkuara, Rusinë, Kinën, Britaninë, Francën dhe Gjermaninë gjatë korrikut të vitit të kaluar në Vjenë, Republika Islamike ra dakord të tkurrte në mënyrë të ndjeshme apo dramatike programin e saj bërthamor, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.

Që prej atëherë, Irani ka reduktuar në mënyrë drastike sasinë e centrifugave të instaluara në vendet e pasurimit të uraniumit, ndërkohë që ka transportuar tonelata të tëra të uraniumit të pasuruar në nivele minimale drejt Rusisë, si dhe çmontoi bërthamën e reaktorit bërthamor në Arak.

Top Channel