Sondazhi i parë i zhvilluar vetëm disa ditë pas zgjedhjes së liderit të ri të konservatorëve ,Kiriakos Mitsotakis duket se ka sjellë ndryshime në preferencat e grekëve që shohin se ende vendi nuk po bën hapat e para për daljen nga kriza ekonomike shumëvjeçare.

I zhvilluar nga kompania Metron Analisis për gazetën e së shtunës “Parapolitika”, sondazhi vendos në vend të parë Demokracinë e Re me 23,6% ndaj 19,9% që përqëndron partia qeveritare e të Majtëve, Syriza.

Në vend të tretë vazhdon të qëndrojë AA me 4.6%, i ndjekur me të njëjtën përqindje nga komunistët greke dhe më pas nga Koalicioni Demokratik i socialistëve të Pasokut me të Majtën Demokratike, që përqëndrojnë 4.1%.

Por lideri i Demokracisë së Re Kiriakos Mitsotakis duket se siguron edhe preferencën më të madhe të grekëve ndaj kryeministrit Tsipras, në pyetjen se kush është më i përshtatshëm për të udhëhequr vendin.

Sondazhi paralajmërues për qeverinë Tsipras vjen në një moment kur ajo përballet me reagime të mëdha nga pothuajse të gjitha grupet shoqërore përsa i përket reformës së pensioneve.

Protestat filluan disa ditë më parë me grevën e avokatëve dhe të mjekëve, vazhdojnë gjatë fundjavës me nëpunësit e administratës, fermerët kanë nxjerrë traktorët e tyre pranë rrugëve nacionale duke paralajmëruar se do të fillojnë të bllokojnë disa prej tyre, ndërsa unionet e sindikatave të sektorit privat kanë shpallur më 4 shkurt një grevë të përgjithshme.

Prej fillimit të krizës në vitin 2010 pensionet e shtresave të ndryshme në Greqi janë reduktuar të paktën 11 herë, por presioni i kreditorëve të vendit kërkon një reformë rrënjësore, që përfshin edhe reduktime të reja në mënyrë që ky sistem të jetë i qëndrueshëm edhe për brezat e ardhshëm.

Siç thekson edhe gazeta Kathimerini, tashmë i ndodhur edhe përballë një opozite, lideri i së cilës duket se po e përtërin atë duke dhënë shenja më premtuese, kryeministri Tsipras dhe qeveria e tij duket se do të kalojnë një dimër tepër të rëndë dhe të vështirë.

Top Channel