Venecia, gondola juridike e Shqipërisë

16/01/2016 12:15

Nga Arben Manaj – Qyteti i përbotshëm, ku prodhohen maskat, nuk do duhet të dërgojë në Shqipëri këtë produkt. Tirana ka nevojë për gondola juridike për t’u vetëshpëtuar. Kriza e fundit për reformën në drejtësi, po dëshmon se Shqipëria ka hyrë në ujë dhe rrezikon po aq sa Venecia. Referimi përfundimtar drejt qytetit në ujë, paradoksalisht, ose do ta shpëtojë, ose do ta përmbysë përfundimisht demokracinë shqiptare.

Këto javë, përplot me debate dhe kundërthënie, kërcënime e shantazhe, e pseudo-deklamime për hallin e drejtësisë shqiptare, treguan se në momentin që politika futi duart në proces, e përdhunoi atë. Mungesa e dakordësisë politike për draftin e reformës, rezultante e një frike të dukshme për zullumet e bëra dhe pasurinë e vënë nga “korporata” dhe bashkëfajtorët e tyre politikë të çdo krahu, jo domosdoshmërisht, është lajm dhe aq i keq. Ishte e pritshme që kështu do të ndodhte. Është instiktive, në fund të fundit, pasi kështu reagon çdo organizëm i vënë në rrezik.

Koalicioni i mega-qelbësirave shqiptare po lufton me koalicionin e madh euroatlantik. Secila palë ka avantazhet dhe dizavantazhet e veta.

Të parët, kanë paranë, pushtetin formal dhe malinjitetin e mentalitetit ballkanik.

Te dytët, kanë influencën politike, vendndodhjen dhe balancat bankare të mëkatarëve bllokues, (“që s’u bie pika, edhe pse nga gratë rrojnë”), superioritetin e know-how-ut legal, pa harruar veton ose çelësin e dritës jeshile për integrimin dhe prosperitetin e një vendi aspirues. Por, çalojnë në mosnjohjen sa duhet të mendësisë shqiptare dhe pushtllëkut ballkanik, mosnjohje e naivitet, deri diku, që vjen nga kultura politike e shoqërore, si dhe pastërtia e të rritur pa shenjtanllëk në kapitalizmin e vendeve nga vijnë, që kanë qindra vjet që e kanë lënë pas, këtë stad që dëshmohet në Shqipëri.

Aktualisht, pa rënë në klishe, Shqipëria ndodhet në një udhëkryq politik nga ku do të varet e ardhmja e afërt dhe e largët në rrugëtimin, pa biletë kthyese, drejt familjes europiane.

Është koha që Perëndimi, më saktë, amerikanët, si miqtë më të spikatur dhe konstantë të shqiptarëve në dy shekujt e fundit, të këmbëngulin në dashurinë e tyre të investuar për vlerat shqiptare, edhe pse shqiptarët po dëshmohen të paaftë për të përqafuar, atë që në thelb do e quaja, “Pranverën ballkanike”.

Fakti që për këtë reformë, e cila është “nëna e reformave” shqiptare, po udhëton sërish drejt Venecias, do të duhet të shërbejë si një shans i fundit që ndërkombëtarët të kuptojnë dhe mos dështojnë si deri më sot, se nëse do t’u vijnë maska prej Venecias, prostituimi politik do ta çojë vendin në degjenerim total. Asgjë që do të shërbente në duart e dashnorëve shqiptarë të parasë dhe pushtetit, do të ishte ndihmesa më e madhe që bota demokratike do t’u jepte shqiptarëve dhe Shqipërisë, vend i NATO-s dhe kandidat për në BE. Politika shqiptare nuk meriton “efektin IKEA”.

Çdo shans, çdo ambiguitet legal, çdo shteg për makinacione e interpretime, që do të minonin parametrat e një drejtësie funksionuese dhe perëndimore, pa dyshimin më të vogël, do ishte infuzioni i dëshiruar i një klase të kalbur, që po qelbëzon tërë jetën shqiptare në çdo aspekt të saj e bashkë me të, dëshirën për të jetuar e ndërtuar të ardhmen në atë vend të bekuar, me ato ç’ka i ka ofruar vetëm natyra. Mushka politike shqiptare ka nevojë për dru të tillë që do të duhej ta vinte elitën politike dhe ligjvënësit shqiptarë, përpara faktit të panegociueshëm të pranimit ose jo të reformës.

E lënë në duart e politikës shqiptare me të drejtën për të gatuar një sistem drejtësie, siç i leverdis mafies politike në vend, pa garantuar në praktikë mungesën e ndëshkimit dhe barazisë faktike të çdo qytetari me ose pa pushtet, do të jetë gozhda e fundit në arkivolin e eksperimentit të lodhshëm demokratik shqiptar.

Edhe pse të gjithë hiqen si dashnorë të reformës, shumica dërrmuese e klasës politike shqiptare nuk janë si “dashnorët e Venedikut”, pasi të gjithë janë të sprucuar në hale-demokracinë që kanë instaluar. Për opozitën, siç është sot, pa kauzë dhe kartë morale për drejtësinë që kanë lënë trashëgimi politike dhe atë që nuk e kanë bërë siç po kërkohet, përveç përfitimit të prangave, nuk kanë çfarë humbasin.

Por për Ramën dhe Metën, e sidomos për Kryeministrin, do të ishte dinjitoze të bënte atë që nuk bëri paraardhësi i tij, për shkak të partnerit, e ta çonte vendin në zgjedhje të parakohshme, vetëm si kartë të fundit, nëse vërtet ka besuar te rilindja e këtij vendi e jo te funerali i pashmangshëm i tij.

Të paktën, do të kishte alibinë politike dhe morale të fituesit të ardhshëm për një çështje madhore, e cila ideale do ishte, ta zgjidhnin vetë shqiptarët me referendum ose me largpamësi më të madhe politike, sesa në zgjedhjet e fundit politike, e përkthyer me shumë më shumë se një milion shpulla.

Gazeta “Shqip”

Top Channel