Strategjia e zhvillimit të Beratit

16/01/2016 12:25

Është organizuar të shtunën në qytetin e Beratit, takimi i tretë mbi strategjinë e planifikimit vendor, takim ku marrin pjesë grupet e interesit të organizuar nga bashkia e qytetit, “Co.Plan” si dhe USAID.

Reforma territoriale bëri që Bashkia e Beratit të ketë një sipërfaqe e strukturë më të zgjeruar, pasi janë bashkuar dhe katër ish-komuna, në total 50 fshatra. Kjo lind domosdoshmërinë për një plan të përgjithshëm të ndryshimeve në strategjinë e zhvillimit.

Sipas bashkisë, këto takime bëhen që të përthithen sa më shumë mendime, jo vetëm me përfaqësues të administratës, por edhe nga shoqëria civile për të  dëgjuar dhe rikuperuar gjitha problematikat që ka Bashkia Berat.

“Problemet janë të mbartura ndaj nuk mund të rikuperohen dëmet që kanë sjellë legalizimet vend e pavend, por do të bëhen studime për t’i rikuperuar disi ato gabime që janë bërë gjatë këtyre 25 viteve”, thotë kreu i bashkisë, Petrit Sina.

Ndërsa drejtori ekzekutiv i Co-Plan pohon se Dritan Shutina

“Synimi është që të mundësojë të gjithë grupeve të ndryshme të interesit në Bashkinë e Beratit të marrin pjesë dhe të japin përshtypjet dhe kendvështrimet  e tyre përsa i përket mënyrës sesi duhet dhe mund të zhvillohet Berati në vitet e ardhshme. Është një fazë e ndërmjetme sepse i gjithë procesi i hartimit të planit përgjithshëm vendor nënkupton që si hap të parë duhet të realizohet ajo që quhet strategjia e zhvillimit të territorit, mandej kjo strategji do të përkthehet  dhe në instrumenta të tjerë të menaxhimit të  territorit  dhe atij që përbën planin e përgjithshëm vendor me gjithë dokumentet që do e shoqërojnë”, thotë Dritan Shutina, drejtor ekzekutiv i Co-Plan.

Top Channel