Grabitjet me maska, Hajdarmataj: Rendi është në pikë kritike

16/01/2016 00:00

Rendi është në pikë kritike dhe pasiguria ka arritur kulmin, deklaron deputetja demokrate, Mimoza Hajdarmataj. Në një dalje për mediat ajo tha se dy grabitje me armë e maska në Tiranë dhe në Lezhë tregojnë përkeqësim të sigurisë.

“Dy grabitje me armë dhe me maska, në orët e para të mbrëmjes së djeshme, në zemër të Tiranës dhe në aksin kombëtar në Lezhë, dëshmojnë se rendi është në pikë kritike, pasiguria ka arritur kulmin. Pas një serie ekzekutimesh mafioze në ditët e para të Janarit, shfaqja e maskave të armatosura me uniforma policie dhe grabitjet e dhunshme, janë një përkeqësim i mëtejshëm i garancive për jetën dhe pronën. Tahiri i Ramës pas gjithë kësaj vale krimi, ka kurajon të shfaqet në Vlorë, në qytetin ku makina e tij private bën taksinë e drogës, dhe të fajësojë Gjykatën Kushtetuese. Por përgjegjësi për situatën katastrofike njihet nga të gjithë. Kur ministër i rendit është Saimir Tahiri, kumbar i habilajve, shërbëtor i Shullazit, ndërmjetës i vrasësve me pagesë, çirak i bosëve të drogës, atëherë ekzekutimet, krimet, grabitjet me maska janë të legalizuara”, tha Hajdarmata.

Partia Demokratike tha ajo, inkurajon oficerët e ndershëm të luftojnë krimin, “edhe pse në kushte të vështira, kur krimi ka lidhje direkte me ministrin”.

Top Channel