Federata ruse e Atletikës zgjedh presidentin e ri

16/01/2016 13:50

Dimitri Shlijatin është presidenti i ri i Federatës Ruse të Atletikës, që është e pezulluar nga të gjitha aktivitetet për shkak të skandalit të dopingut të zbuluar nga Agjencia Botërore Antidoping.

Shlijatin, që ka qenë edhe  ministër i Sporteve në Rajonin e Samaras, u zgjodh në mënyrë unanime në krye të institucionit më të lartë të atletikës në vend, që po përjeton periudhën më të vështirë të vet.

Dmitri Shlijatin zëvendësoi në postin e presidentit të Federatës Ruse të Atletikës, Valentin Balaknicev, i cili u përjashtua përjetë për shkak të përdorimit sistematik të dopingut nga ana e sportistëve rusë.

“Objektivi është i qartë; kthimi i atletikës ruse në aktivitetet ndërkombëtare dhe rifitimi i besimit nga ana e IAAF dhe WADA-s”, tha Shlijatin pas zgjedhjes së tij në postin e presdientit të Federatës.

Federata Ndërkombëtare e Atletikës e pezulloi atw ruse në nëntor të vitit të kaluar pas publikimit të raportit të WADA-s për praktikën e dopingut që aplikohej dhe fshehjen e rezultateve pozitive në këtë vend, ndërsa Komisioni i Pavaraur i WADA-s shtoi akuzat ndaj këtij vendi duke theksuar se të gjitha manovrat e paligjshme, si fshehja e dopingut, kërcënimet ndaj sportistëve, dhënia e ryshfeteve dhe shkatërrimi i provave të përdorimit të substancave të ndaluara janë bërë në bashkëpunim edhe me organet shtetërore ruse.

Megjithatë, presidenti i këtij komisioni, Dik Paund deklaroi se Rusia ka ende kohë për të bërë ndryshimet e duhura në mënyrë për të mundësuar pjesëmarrjen e atletëve të këtij vendi në Lojërat Olimpike të Rio De Zhaneiros.

Top Channel