Tajvan, presidente kandidatja pro pavarësisë

16/01/2016 14:00

Ashtu siç ishte parashikuar prej analistëve, zgjedhjet në Tajvan kanë rezultuar me fitoren historike të Tsai Ing-wen, e cila bëhet femra e parë drejtuese e në historinë e vendit ishullor.

59-vjeçarja përfaqëson Partinë Progresive Demokratike, mbështetëse e pavarësisë nga Kina. Ajo siguroi avantazh bindës kundrejt rivalit, Eric Chu, kandidat i partisë në pushtet, KMT. Ky i fundit përgëzoi Tsai Ing-wen për fitoren dhe njoftoi se do të jepte dorëheqjen si kreu i partisë.

Edhe pse Tsai nuk e ka bërë të qartë politikën që do të ndjekë ndaj synimeve të Pekinit, ajo është shprehur se synimi është që të ruajë status quo-në aktuale. Por kundërshtarët mendojnë se fitorja e saj do të trazojë ndjeshëm marrëdhëniet me Kinën.

Pekini e konsideron ishullin si një rajon të shkëputur prej tij dhe ka kërcënuar më shumë se njëherë se do ta marrë me forcë nëse do të jetë e nevojshme.

Votimi u zhvillua disa muaj pas takimit historik mes udhëheqësve të dy vendeve, i pari në më shumë se 6 dekada. Analistët thonë se situata e vështirë ekonomikedhe marrëdhëniet me Kinën luajtën një rol të rëndësishëm në zgjedhjet e votuesve.

KMT ka qenë në pushtet për pjesën më të madhe të 70-viteve të fundit, duke ndikuar edhe në përmirësimin e marrëdhënieve me Pekinin. Për partinë progresive, DPP, kjo është hera e dytë që vjen në pushtet.

Fitorja e parë ishte ajo e shënuar nga aktivisti pro pavarësisë, Chen Shui Bian dhe gjatë dy mandateve të tij si president, nga 200 deri në 2008-n, tensionet me Kinën u përshkallëzuan ndjeshëm.

Zgjedhjet e këtij viti patën një protagoniste të tretë veç dy kandidatëve. Ajo është 16-vjeçarja Chou Tzuy, pjesëtare e një grupi muzikor nga koreano-jugor. Këngëtarja tajvaneze është shfaqur duke kërkuar ndjesë në një video, pasi u pa duke valvitur flamurin ishullor. Në video ajo pohon se ndihet krenare që është kineze dhe se ka vetëm një kinë. Por shumë në ishull mendojnë se ajo është detyruar që të kërkojë falje.

Top Channel