Akuzat e PD për Beqajn, reagon qeveria

16/01/2016 15:05

Pas deklaratës së deputetes së Partisë Demokratike, Arbiola Halimi, e cila akuzoi ministrin e Shëndetësisë, Beqaj se i ka dhënë 85 milionë lekë për instalimin e një programi të FDSSH-së firmës së tij, reagoi qeveria.

Përmes transparenca.al, Qeveria thotë se çfarë deklaron opozita janë aludime pasi  kontrata në fjalë është lidhur pas një procedure prokurimi tender i hapur elektronik, e zhvilluar me shumë se një vit më parë  më datë 22/12/2014, për mbështetjen e sistemit ekzistues të kontabilitetit dhe auditit te FSDKSH-së. Ky sistem  është blerë që në vitin 2007 nga e njëjta kompani, si dhe është realizuar në periudhën 2007-2008.

Në këtë reagim thuhet se “shërbimi të cilit i referohet deklarata e PD-së ka të bëjë me përditësimin, apo siç njihet në gjuhën teknike, “upgrade” të shërbimit që parashikohet në Kontratën që shoqëria “Intech+”, sh.p.k., ka lidhur që më dt. 9/7/2007 me institucionin e atëhershëm të ISKSH-së, të drejtuar nga znj. Elvana Hana dhe të realizuar me sukses deri më dt. 1/8/2008, në përputhje me të gjitha kërkesat e rregulloreve të prokurimit publik në fuqi këtë shërbim.

Duke qenë se shoqëria, Intech+ është i vetmi subjekt që mund të bëjë “upgrade” të softit që mundëson këtë shërbim, kjo shoqëri ishte edhe ofertues i vetëm në procedurën e prokurimit publik për mbështetjen e sistemit të administrimit financiar.

Në këtë reagim thëksohet se “Nga verifikimi i procedurave të ndjekura dhe dokumentacionit në Raportin Përfundimtar të Auditimit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, “Për auditimin e ushtruar në FSDKSH”, nuk është gjetur asnjë parregullsi dhe nuk ka asnjë rekomandim për dëm financiar”.

Top Channel