Dështimi i negociatave, komplikohet situata politike në Maqedoni

16/01/2016 17:20

Dështimi i negociatave për datën e zgjedhjeve të parakohshme në Maqedoni ka komplikuar edhe më tepër situatën e vështirë politike në këtë vend, ku janë shkelur të gjitha afatet e marrëveshjes për zgjidhjen e krizës politike.

Kryeministri Nikolla Gruevski vazhdon të ushtrojë detyrën e tij, ndonëse sipas marrëveshjes së 2 qershorit, 15 janari ishte dita kur ai duhej të linte postin për t’i hapur rrugë formimit të qeverisë kalimtare, e cila do organizonte zgjedhjet e parakohshme të 24 prillit.

Kuvendi ende nuk ka miratuar dorëheqjen e Gruevskit, pasi ky i fundit kushtëzoi largimin e tij me datën e zgjedhjeve.

Pas dështimit të negociatave maratonë për shkak të insistimit të LSDM-së për shtyrjen e tyre, Gruevski përsëriti qëndrimin se dorëheqja e tij do të aktivizohet 100 ditë para ditës së votimeve, duke mos treguar se kur do të mbahen zgjedhjet.

Gjatë negociatave, komisioneri Hahn dhe tre partitë VMRO-DPMNE, BDI dhe PDSH kanë ka insistuar që të respektohet marrëveshja e 2 qershorit dhe  zgjedhjet të mbahen më 24 prill, por një gjë e tillë është kundërshtuar nga partia maqedonase LSDM, e cila mendon se nuk ka kohë të mjaftueshme për t’u pastruar listat zgjedhore dhe për t’u përmbushur reformat në sferën e mediave.

Paqartësitë rreth datës së zgjedhjeve të parakohshme mbajnë peng formimin e qeverisë teknike, e cila pritet të drejtohet nga sekretari i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së, Emil Dimitriev.

Ky i fundit njihet si njeri besnik i kryeministrit aktual Nikolla Gruevski, ndonëse emri i tij nuk është përmendur në bisedat e përgjuara telefonike që u publikuan nga opozita maqedonase, e që implikonin atë dhe bashkëpunëtorët e tij në krime të rënda.

Krahas përpjekjeve të shumta të bashkësisë ndërkombëtare për tejkalimin e krizës politike, duket se Maqedonia nuk po shkon në këtë drejtim.

Një ditë më parë, komisioneri evropian për Zgjerimin, Johannes Hahn, pasi takoi liderët e katër partive kryesore në Shkup tha se vendi ndodhet në një situatë të rëndë dhe porositi autoritetet të angazhohen seriozisht në zgjidhjen e problemeve të shumta.

Top Channel