Reshjet e borës, ARRSH: I domosdoshëm përdorimi i zinxhirëve

16/01/2016 00:00

Në vijim të reshjeve të dëborës në disa zona të vendit, Autoriteti Rrugor Shqiptar u ka sugjeruar udhëtarëve që të jenë të pajisur me zinxhirë, ndërsa ka rekomanduar dhe akset ku përdorimi i tyre është i domosdoshëm.

Kështu, përmes një njoftimi për shtyp ARRSH njofton se, qarkullimi me zinxhirë është i nevojshëm në akset Boboshticë-Dardhë, Korçë-Voskopojë; Pogradec-Qafë Plloçë, Podgorie-Liqenas, deri në Doganën e Goricës në juglindje të vendit.

Ndërkohë, në qarkun e Kukësit kalohet me zinxhirë aksi Tuneli i Thirrës-Kalimash-Morinë. Ndërkohë, në qarkun e Elbasanit, pavarësisht reshjeve akset rrugore janë të kalueshme pa nevojën e zinxhirëve.

Reshje bore po bien edhe në Qafën e Llogarasë, ku ndonëse fillimisht autoritetet nuk rekomanduan zinxhirët, në orët e mbrëmjes e vlerësuan të domosdoshëm përdorimin e tyre për të përshkuar aksin Vlorë-Himarë.

Po në orët e mbrëmjes, ARRSH ka dhënë të njëjtën direktivë edhe për akset: Librazhd-Pogradec, në Qafë Thanë; Milot-Mirditë dhe Mat-Bulqizë.

Gjithashtu, autoritetet kanë bërë thirrje që qytetarët në timon të ruajnë normat e shpejtësisë, të respektojnë sinjalistikën dhe të shmangin konsumimin e pijeve alkoolike.

Ja dhe lista e akseve:

Librazhd-Pogradec në Qafë Thanë

Pogradec-Korçë në Qafë Plloç

Korçë-Ersekë në Qafën e Qarrit

Vlorë-Himarë në Qafë Llogara

Milot-Mirditë

Kukës-Morinë

Mat-Bulqizë

Top Channel