Emergjencat Civile: Reshjet e borës, me intensitet mesatar e të ulët

16/01/2016 18:40

Emergjencat civile, të cilat po monitorojnë situatën e krijuar nga moti në vend, njoftojnë se në qarkun e Kukësit reshjet e borës janë me intensitet të ulët.

Trashësia ka shkuar deri në 10 centimetra, rrugët janë të hapura dhe në Rrugën e Kombit janë në gatishmëri 9 mjete borëpastruese, kanë njoftuar Emergjencat.

Në Dibër, reshjet e borës në Kalanë e Dodës kanë arritur në 15 centimetra trashësi dhe kalimi bëhet me zinxhirë. Ndërkohë, në zonën e Elbasanit, dëbora është e pranishme vetëm në lartësitë mbi 600 metra.

Problematike mbetet situata në Qafën e Thanës, ku regjistrohen dëri në 15 centimetra dëborë, por ku nuk ka bllokim të rrugës. Në qarkun e Shkodrës, problem është bërë akulli në zonën e Pukës.

Në Korçë reshjet kanë intensitet mesatar në Qafë Plloçë, Qafë Qarri dhe Qafë Bigllë, të fshatit turistik Dardhë, por edhe këtu nuk ka bllokim rruge.

Ndërkohë, raportohet se ka nisur rritja e nivelit të lumit Vjosë, sidomos në pjesën e burimeve në Greqi, por niveli nuk është kritik.

Top Channel