Zgjedhjet në Partinë Socialiste, Rama takim me strukturat në Durrës

16/01/2016 00:00

Kryeminisri Edi Rama paraditen e së shtunës është takuar me strukturat e PS në Durrës, ku kanë marrë pjesë edhe deputetët e këtij qarku së bashku me ministrin Saimir Tahiri, koordinator për Tiranën dhe qytetin bregdetar.

Burime nga kjo mbledhje i thanë Top-Channel se kryesocialisti ka kërkuar forcimin e strukturave nëpërmjet antarësimeve të reja, të cilat, siç ka theksuar ai, duhet të jenë gjithëpërfshirëse e me fokus të veçantë tek gratë e të rinjtë.

Rama është informuar për procesin e deritanishëm të zgjedhjeve në parti, në qytetin e dytë më të madh në vend. Kryesocialisti ka kërkuar përshpejtim të këtij procesi, që i paraprin kongresit të socialistëve që do të mbahet në mars, por data nuk është vendosur ende.

Gjithashtu Rama ka dëgjuar shqetësimet e bazës socialiste në Durrës, të përcjella nga drejtuesit lokalë të partisë. Sikurse edhe në rrethe të tjera të vendit, shqetësimi lidhet me punësimin e antarësisë socialiste.

Top Channel