Iran-SHBA lirojnë dhe shkëmbejnë të burgosurit

16/01/2016 20:35

Shkrirja e akujve ka bërë që Irani dhe Shtetet e Bashkuara të lirojnë dhe shkëmbejnë të burgosurit mes tyre. Kështu, mësohet se Teherani zyrtar ka liruar gazetarin e “Washington Post”, Jason Rezaian dhe 3 të burgosur të tjerë irano-amerikanë.

Rezaian, 39 vjeç, ishte burgosur nëntorin e kaluar për një seri akuzash, përfshirë atë për spiunazh. Ndërsa tre shtetasit e tjerë amerikanë janë identifikuar si Saeed Abedini, Amir Hekmati dhe Nostratollah Khosravi Roodsari.

Të gjithë ata janë dërguar me avion drejt Zvicrës dhe prej andej do të dërgohen në bazën amerikane në gjermani për trajtim mjekësor. Ndërkohë, në Amerikë autoritetet kanë njoftuar se kanë ofruar lirimin e 7 iranianëve që mbaheshin të burgosur për shkelje të sanksioneve.

Lirimet vijnë në një moment kur palët po zhvillojnë bisedime diplomatike në Vjenë, me Iranin që pret t’i përafrohet heqja e sanksioneve në kuadër të marrëveshjes bërthamore të rënë dakord vitin e kaluar.

Një zyrtar amerikan ka deklaruar se mes Uashingtonit dhe Teheranit është vendosur një kanal diplomatik me qëllim kthimin e shtetasve amerikanë në shtëpi.

“Irani gjithashtu është zotuar se do të vazhdojë bashkëpunimin me SHBA për të caktuar vendndodhjen e Robert Levinson”, ka deklaruar zyrtari.

Sipas agjencisë së lajmeve “Associated Press”, Levinson është një ish-agjent i FBI-së që u zhduk në Iran në vitin 2007, teksa po punonte për CIA-n në një mision jozyrtar.

Nga ana e saj, Amerika është zotuar gjithashtu se 14 shtetas iranianë të tjerë do të hiqen nga lista e të kërkuarve të Interpol, ka vijuar zyrtari.

Top Channel