Mbretëresha Rania i përgjigjet satirikes “Charlie Hebdo”

16/01/2016 21:25

Mbretëresha Rania e Jordanisë ka publikuar një vizatim si përgjigje ndaj karikaturës së “Charlie Hebdo” që lidhte djalin e mitur sirian Alan Kurdi, i mbytur në përpjekje për të arritur Europën, me emigrantët e akuzuar për sulme seksuale në Gjermani.

Revista satirike franceze publikoi një vizatim me një burrë që ndjek një grua dhe poshtë saj shkruhej se, Alan kur të rritej do të ishte bërë një endacak në Gjermani.

Por mbretëresha Rania postoi një vizatim të ilustruesit jordanez Osama Hajaj në rrjetet sociale, që Alanin të rritur e tregonte një doktor.

“Alan mund të ishte bërë një doktor, një mësues, një prind i përkushtuar”, ka shkruar mbretëresha në profilin e saj në Twitter.

Karikatura e “Charlie Hebdo” u publikua pas lajmit se turma emigrantësh me prejardhje arabe dhe afrikane kryen sulme seksuale ndaj femrave që festonin natën e ndërrimit të viteve në qytetin e Këlnit, në Gjermani.

Të afërmit e Alan në Kanada u shprehën të neveritur nga revista franceze. Ndërsa disa e kanë interpretuar atë si tallje për median për mënyrën se sa shpejt ajo ndërroi kah, nga steriotipet pozitive në ato negative.

Revista e ka vendosur 2-vjeçarin Alan në një seri vizatimesh në muajt e fundit, përfshirë një ku tregohet trupi i të miturit i mbytur në breg të detit, pranë një reklame të “McDonald’s”, me diçiturën “Kaq afër”.

Top Channel