ARRSH: Qarkullimi nëpër disa akse, vetëm me zinxhirë

17/01/2016 00:00

Moti i keq dhe tepër i ftohtë që ka mbërthyer vendin prej mbrëmjes së të shtunës ka detyruar Autoritetin Rrugor Shqiptar që të japë një informacion të përgjithshëm mbi gjendjen e kalueshmërisë nëpër akset më të rëndësishme rrugore në mbarë vendin.

Kështu, përmes komunikatës së përditshme, ARRSH njofton se aktualisht akset më të rënduara prej reshjeve të dëborës janë ato në juglindje të vendit, ku është e nevojshme qarkullimi i automjeteve me zinxhirë.

Bëhet fjalë për akset Librazhd-Fushë Studen, i kalueshëm me zinxhirë; Fushë-Studen-Stëblevë, i pakalueshëm për shkak të trashësisë së borës në 20 cm; si dhe akset Korçë-Voskopojë, Boboshticë-Dardhë e Korçë-Ersekë, të gjitha këto të kalueshme me zinxhirë.

Ndryshe ka këto, aksi nga qyteti i Elbasanit në drejtim të Librazhdit, më pas Prrenjasit e deri në Qafë Thanë është i kalueshëm pa zinxhirë, ashtu sikurse dhe aksi Pogradec-Qafë Thanë. Të rënduara duken të jenë edhe akset Qafë Qarri-Pogradec-Qafë Plloçë, si dhe Podgorie-Liqenas-Doganë.

Ndërkohë, në verilindje, aksi rrugor më i rëndësishëm që prek “Rrugën e Kombit”, ai nga tuneli Thirrë në Kalimash e deri në pikëkalimin kufitar të Morinës kalohet pa zinxhirë.

Top Channel