Gjendje emergjence në Flint të Michiganit, uji i kontaminuar me plumb

17/01/2016 00:00

Presidenti amerikan, Barack Obama ka shpallur gjendjen e emergjencës në qytetin Flint të Michiganit, për shkak të ujit të kontaminuar me plumb. Uji me të cilin furnizohet qyteti është kontaminuar pas ndryshimit të furnizuesit në vitin 2014.

Hapi i radhës pas shpalljes së emergjencës është çlirimi i plot 5 milionë dollarëve nga fondet federale, pavarësisht se më herët gjatë kësaj jave, guvernatori Rick Snyder kishte kërkuar 31 milionë dollarë nga qeveria amerikane. Ai kishte deklaruar se nevoja në qytetin prej afro 100 mijë banorësh “i tejkalonte kapacitetet e shtetit” duke kërkuar ndihmën e qeverisë federale, duke synuar ta quante këtë ngjarje si një fatkeqësi.

Megjithatë, raportime nga Michigani bëjnë të ditur se Obama e ka refuzuar këtë kërkesë, pasi dhënia e mbi 5 milionë dollarëve bëhet vetëm në rastet e fatkeqësive natyrore.

Në tetor, testimet zbuluan një rritje të nivelit të plumbit në furnizimin me ujë dhe në gjakun e fëmijëve. Ekspozimi ndaj plumbit mund të shkaktojë çrregullime në të mësuarit dhe probleme në sjelljen e fëmijëve.

Përpara kësaj, qytetarët e Flintit ishin ankuar për ujë të zbardhur, erë të keqe si dhe dhimbje koke apo edhe skuqje të lëkurës nga përdorimi i ujit, me të cilin furnizohen nga furnizuesi i ri.

Qyteti i Flintit, në vitin 2014 ndryshoi burimin e ujit të pijshëm nga qyteti i Detroitit në lumin “Flint”, por është rikthyer sërish në Detroit. Prokurori i përgjithshëm i Michiganit ka bërë të ditur nisjen e hetimeve për çështjen e ujit të pijshëm, për të parë nëse është shkelur ndonjë ligj shtetëror.

Mungesa e ujit të pastër në Flint “është një tragjedi njerëzore, prej së cilës familjet po vuajnë në aspektet më jetike të jetës së përditshme”, tha kryeprokurori i Michiganit, Bill Schuette.

Top Channel