Moti i keq, OSHEE: 11 fidera të stakuara. Po punohet për defektet

17/01/2016 00:00

Përmes një komunikatë të mesditës së kësaj të diele, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka dhënë një raport të detajuar në lidhje me situatën e furnizimit me energji elektrike në të gjithë vendin, ku vërehet ndërprerje e energjisë në disa zona të thella malore për shkak të motit të keq.

Sipas asaj që bën të ditur OSHEE, ekipet e saj me rreth 1867 punonjës nga 10 Drejtoritë Rajonale, janë në terren dhe po ndjekin me përparësi situatën e furnizimit me energji elektrike të të gjithë konsumatorëve, pas problemeve të shfaqura në rrjetin elektrik të vendit me uljen e temperaturave dhe rikthimin e reshjeve intensive të shiut dhe borës në zonat malore. Deri më tani janë 11 fidera të stakuara, pikërisht prej këtyre problemeve, nga 35 që u evidentuan në mëngjes.

I gjithë stafi është i angazhuar në terren mbi bazën e një plani masash për të lokalizuar defektet dhe për t’i riparuar ato sa më shpejt të jetë e mundur. Avaritë kanë prekur rrjetin shpërndarës të tensionit të lartë, të mesëm por edhe atë të ulët.

Problematikat më të mëdha janë vërejtur në zonën e Burrelit, atë të Korçës, por edhe në Kukës. Në Burrel po punohet për zëvendësimin e dy transformatorëve të dëmtuar në fidrin Sllove të Peshkopisë. Në zonën e Korçës dhe në Kukës është bërë i mundur riparimi i defekteve në disa fidra dhe vazhdon puna për riparimin e defekteve të tjera, pavarësisht trashësisë së borës.

Zonat pa energji, sipas rajoneve, janë këto:

Rajoni Burrel: Arras, Fushe Çidhe, Lazrej, Mustafe, Kom. Arra, Bardhaj, Lufaj, Dierre.
Zona Lushnje: Komuna Ballagat.
Rajoni Durrës: Zona Golem, Hamallaj.
Rajoni Elbasan: Papër, Bradashesh, Lunik, Polis, zona Cërrunjë pjesërisht, Rrajcë, Orenjë, zona Stravaj.
Rajoni Fier: Lagja “Kryengritje” në qytetin e Fierit.
Zona Gjirokaster: Lazarat.
Rajoni Korçë: Cerravë, Vloçisht, Voskopojë, Liqenas, Buçimas, Trebinjë
Rajoni Kukës: Lekbibaj, Paç, Kam, Nikolicë, Mamëz, Suroj ,Vile.
Rajoni Shkodër:  Arrëz Miliska, Koman, Kelmend, rrethinat Lezhë
Rajoni Tiranë: Pjesërisht Mulleti, Shëngjergji, pjesërisht Zall Bastari.
Rajoni Vlorë: Gorishtë, pjesërisht Vranishti.

Ndërkohë që të gjithë linjat që furnizojnë hidrovorët janë në punë, ashtu sikurse dhe ato që furnizojnë spitalet dhe konsumatorë të rëndësisë së veçantë.

Top Channel