Kosovari Berisha debuton në miqësore me Anzhin

17/01/2016 00:00

Kalimi i Bernard Berishës në kampionatin rus të futbollit është konsideruar një ngritje në karrierën e mesfushorit teknik nga Kosova.

Futbollisti i përfaqësueses kosovare ka debutuar këtë fundjavë me fanelën e klubit të Anzhi Makhachkala në një miqësore të luajtur kundër Okzhetpes, që u fitua me rezultatin 3 me 0.

Berisha luajti gjatë të gjithë takimit në një kompleks stërvitor, duke treguar veten me shpejtësinë dhe driblimet e tij fantastike, me të cilat ka spikatur edhe me fanelën e Skënderbeut në Kategorinë Superiore.

Futbollisti kosovar u largua nga “Ujqërit e Dëborës” gjatë merkatos së janarit, transferim ky që i ka kushtuar Anzhi Makhachkalës rreth 600 mijë euro. Berisha ka nënshkruar një kontratë për 3 vite e gjysmë me fanelën e skuadrës nga Dagestani, që militon në kampionatin rus.

Top Channel