Nis “ankandi” për Granit Xhakën, Gladbach mund ta lërë të ikë

17/01/2016 00:00

Duket se Borussia Munchengladbach është dorëzuar në përpjekjet për të mbajtur deri në fund të kontratës futbollistin e saj më të kërkuar. Ofertat, që po tundojnë Granit Xhakën nga java në javë, dhe çeku i majmë që vendosin pretendentët në tavolinën e bisedimeve, po lëkundin drejtuesit e ekipit të Bundesligës.

Kapiteni është një prej lojtarëve më të preferuar për tifozët, por përballë 25 milionë eurove duket se alternativat nuk mungojnë. Drejtori sportiv i Borussia Munchengladbach, Max Eberl ka thënë se, klubi është i detyruar të marrë në konsideratë çdo ofertë për mesfushorin e shumëkërkuar, Granit Xhaka.

Kosovari, që militon me kombëtaren zvicerane, është përfolur për tratativa me Arsenalin dhe Liverpoolin, por mediat gjermane e kanë afruar gjithashtu edhe me Bayernin. 23-vjeçari nënshkroi një kontratë për 5 sezone me Munchengladbach në vitin 2015, por Eberl thotë se, në rast se ndonjë skuadër ofron ndonjë shumë të madhe, ata do të vendosin për shitjen e lojtarit.

“Kjo varet pak në sukseset tona sportive, gjithashtu edhe nga vet performancat e Granitit, e natyrisht edhe nga çmimi që ofrojnë klubet. Ai është në duart tona dhe, siç qëndrojnë gjërat, ne jemi të lumtur me të. Shpresojmë që ai të qëndrojë për një kohë të gjatë këtu, por duhet të konsiderojmë ofertat e skuadrave”, ka thënë drejtori sportiv për WDR2.

Top Channel