Përmirësohet situata në Korçë, në disa akse kalohet me zinxhirë

17/01/2016 00:00

Qarku i Korçës ishte ndër më të prekurit, nga ai që quhet i ftohti siberian. Në zonat malore të këtij qarku, bora arriti gjatë natës trashësinë e 50 centimetrave, ndërsa në qytetin e Korçës trashësia regjistrohet në 5 centimetra.

Ngricat dhe akulli kanë qenë të pranishme në të gjitha segmentet rrugore. Situata është përmirësuar gjatë kësaj të diele, teksa Prefekti thotë se pastrimi i rrugëve ka bërë të mundur kalimin e automjeteve në të gjitha akset, edhe pse në disa prej tyre kërkohet përdorimi i zinxhirëve.

Por, duket se mbetet problematike çështja e furnizimit me energji elektrike në disa fshatra, ndër të cilat edhe pika turistike e Voskopojës. Si pasojë e reshjeve të borës ka pasur këputje të kabllove elektrike, duke lënë gjithë zonën në terr të plotë. Megjithatë, OSHEE njoftoi mesditën e sotme se, në Voskopojë është rikthyer energjia elektrike, pas rreth 19 orësh, për shkak të një defekti në fidrin që mbulon këtë zonë.

Gjatë natës, në aksin Qafë Thanë-Pogradec, lëvizja është kryer vetëm me zinxhirë, duke krijuar radhë të gjata të mjeteve. Në segmentin më të rëndësishëm rrugor të Qarkut të Korçës, atë të Qafë Plloçës, gjatë natës së të shtunës ka pasur vështirësi, veçanërisht për mjetet e tonazhit të rëndë.

Pamja e zakonshme dimërore tashmë është e pranishme në qarkun juglindor. Përveç akseve nacionale, vështirë në qarkullim është hasur edhe në rrugët brenda qytetit të Korçës.

Top Channel